English

Shfaqja “Peer Gynt” bashkon tri shtete

Shkup, 29 maj, NOA - Vetëm dy ditë më parë është shfaqur në Teatrin Shqiptar të Shkupit premiera e dramës “Peer Gynt”, e autorit Henrik Ibsen, në regjinë e Slobodan Unkovskit, i njohur në rrethet teatrore shqiptare me vënien skenike të shfaqjes “Daja Vanja” në vitin 2008.

Kjo shfaqje është realizuar në një bashkëpunim mes tri shteteve: Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Janë rreth 20 aktorë pjesëmarrës në këtë shfaqje, mes të cilëve, shtypi maqedonas nuk harron të veçojë disa prej tyre si: Bajrush Mjaku, Yllka Mujo, Xhevdet Jashari, Amernis Noksiqi-Jovanovska, Adrian Morina dhe Fisnik Zeqiri. Skenografia e kësaj shfaqjeje është realizuar nga Miodrag Tabacki (Serbi) , kostumet nga Aleksandër Nospal (Maqedoni) dhe koreografia nga Gjergj Prevazi (Shqipëri).

Projekti i kësaj shfaqjeje ka nisur që në muajin janar, ku tri shtete: Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia janë përpjekur maksimalisht që autori i “Peer Gynt”, të flasë shqip në Teatrin Shqiptar të Shkupit, në regjinë e të mirënjohurit maqedonas, Slobodan Unkovski.

Sipas burimeve të informacionit që vijnë nga faqja zyrtare e këtij teatri në Shkup mësohet se aktorët e përzgjedhur nga vendet përkatëse janë: Vjosa Abazi, Vlora Nikci, Albulena Kryeziu, Flutura Zymi, Adrian Morina, Bekim Guri Besart Zeneli, e Flutura Basha nga Kosova.

Ndërkaq, aktorët që vijnë nga Maqedonia në projektin “Peer Gynt”, të Ibsenit, që realizohet për herë të parë në Kosovë janë: Bajrush Mjaku, Xhevdet Jashari, Mirsad Iseni, Fisnik Zeqiri, Blerim Dardhishta, Visar Etemi, Beqir Nuredini, Amernis Nokshiqi, Mirlinda Saiti dhe Zarije Jonuzi, kurse nga Shqipëria është përfshirë vetëm një aktore, e mirënjohura Yllka Mujo.

Shtysa për realizimin e kësaj shfaqje ka ardhur pas shpërblimit të aktorit të mirënjohur, Bajrush Mjaku në Norvegji, i cili, gjatë vitit të kaluar ka fituar çmimin “Ibsen Fond”, që ka rezultuar më pas edhe me mbështetjen e këtij projekti me fond shtesë, nga buxheti i Teatrit Kombëtarë të Kosovës, nga Teatri Shqiptarë i Shkupit dhe nga MTKRS-ja në Shqipëri.

Premiera e kësaj shfaqje, e cila u dha fillimisht në Teatrin Shqiptar të Shkupit do të vazhdojë më pas në Prishtinë e Tiranë, për të përfshirë edhe qendra të tjera të rajonit si Sarajeva dhe pjesëmarrjen në festivale të ndryshme.

Për shfaqjen “Peer Gynt”, Teatri Kombëtar i Kosovës ka ndihmuar me 25 mijë euro, ndërkaq totali i kësaj shfaqje arrin afro 100 mijë euro, duke pas parasysh fondin e fituar nga Bajrush Mjaku, të Teatrit Shqiptarë të Shkupit dhe të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë.

“Shfaqja teatrore “Peer Gynt”, është projekt regjional që ka përfshirë institucione dhe artistë nga rajoni dhe Evropa. Peer Gynt konsiderohet njëra prej dramave më të mira të dramaturgut të madh norvegjez Ibsen.

Kjo dramë klasike ku vizioni dhe idetë e Ibsenit, edhe në ditët e sotme janë aktualitet, realizohet për herë të parë në nivel ballkanik ku shihen dhe trajtohen problemet në një dritë tjetër, apo më saktësisht nëpër kohën të cilën kalon shoqëria e regjionit, pas kolapsit të shkaktuar nga rënia e komunizmit dhe luftërave të shkaktuara nga nacionalizmi.

m.s/NOA

KOMENTE