Sport-Botërori Në Dyshim Për Disa Yje Te Të Futbollit
T
TIRANË, 29 Maj /ATSH/. - Botërori "Afrika e Jugut 2010", përveç disa futbollistëve kryesorë që nuk janë grumbulluar nga trajnerët, rrezikon të humbasë edhe disa prej protagonistëve kryesorë të tij, si pasojë e dëmtimeve.
Sot është dëmtuar gjatë stërvitjes kapiteni i përfaqësueses së Serbisë, Dejan Stankoviç dhe prania e tij në Botërorin e Afrikës së Jugut është në rrezik. Trajneri Antiç ende nuk ka dhënë një përgjigje të saktë, nëse kapiteni do të jetë apo jo në Kupën e Botës.
Ndërkohë, në dyshim është edhe mesfushori i Japonisë, Shunsuke Nakamura. 31-vjeçari, i cili më parë ka veshur edhe fanellat e Rexhinës dhe Celtic, vuan nga një dëmtim në kaviljen e majtë, të pësuar në ndeshjen kundër Koresë së Jugut. Ndeshja e fundit miqësore e Japonisë, përpara debutimit në Botëror, do të jetë ajo kundër Bregut të Fildishtë, më 4 qershor.
Ndërsa më parë jashtë botërorit për arsye dëmtimi kanë mbetur kapiteni i Gjemanisë, Mikael Balak dhe futbollisti anglez, Devid Beckham./gj.m//a.ke/