Sport-Futboll/ Fshf, Negociata Me "Sports Global Management" Për Të Drejtat Televizive Të Euro 2012
TIRANË, 29 Maj /ATSH- Gjergji Mima/ - Federata Shqiptare e Futbollit nisi sot negociatat me kompaninë "Sports Global Management" dhe me Federatën Franceze të Futbollit, për të drejtat televizive të eliminatoreve të Kampionatit Evropian të Futbollit "Euro 2012".
Vendimi u mor sot në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, i cili autorizoi negocimin e kontratës me këtë kompani, e cila kishte ofertën e renditur më mirë.
Çmimi i kësaj oferte ishte 5.1 milionë euro dhe përfshin menaxhimin e të drejtës televizive të ndeshjeve të Kombëtares shqiptare të futbollit në grupin D të eliminatoreve për kampionatin evropian, ku do të luajë ndaj Francës, Bosnjes, Rumanisë, Luksemburgut dhe Bjellorusisë
Ndërkohë Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së miratoi edhe pagesën paradhënie të përfitimeve që klubet pjesëmarrëse në Kupat e Evropës do të përfitojnë në sezonin 2010-2011.
Sipas FSHF-së, "një masë e tillë merret për të ndihmuar klubet që të përgatiten sa më mirë për pjesëmarrjen në kompeticionet evropiane dhe për sezonin e ardhshëm"./s.s./