English

Stanishev: Zgjidhja e krizës, i takon qeverisë

Tiranë, 29 Maj, NOA – “Tani ka ardhur koha që të ndërmerren hapa konkretë për zgjidhjen e krizës politike nga qeveria shqiptare, sepse nuk mund të flasim për demokraci të plotë dhe transparencë, me gjysmën e parlamentit jofunksionale”.

Një fakt të tillë e ka theksuar gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Komitetit të Evropës Juglindore të Internacionales Socialiste që po zhvillohet në Tiranë, bashkëkryetari i këtij komiteti, Sergei Stanishev.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit politike në Shqipëri, ai tha se shqetësimi i krizës është shtuar edhe nga përfshirja në bisedime e institucioneve ndërkombëtare, përmendim këtu ato të zhvilluara në Strasburg.

“Përshëndes nismat e ndërmarra nga socialistët shqiptarë, pasi duhet të garantohet që gjëra të tilla dhe dyshime të tilla të mos ndodhin më dhe që vota e njerëzve të respektohet”, tha ai duke dalë në mbrojtje të nismës për grevën e urisë së socialistëve.

Më tej, ka shtuar se “ky hap i ndërmarrë prej tyre duhet të përshëndetet, pasi tregon se Partia Socialiste është duke kërkuar një zgjedhje të pranueshme dhe dinjitoze nga të dyja palët”.

“Përballja e sfidave të rëndësishme të vendit, nuk mund të bëhet pa patur një vullnet të përbashkët mes palëve”, tha ai më tej.

Duke shtuar se “zgjidhja institucionale e problemit ka rëndësi për vendin se vetëm në këtë mënyrë mund të ecet me shpejtësi drejt Bashkimit Evropian”.

n.e/NOA

KOMENTE