Tajlandë - Hiqet Ndalimqarkullimi I Vendosur Pas Akteve Të Dhunës
BANGKOK, 29 maj /ATSH-AFP/ - Autoritetet tajlandeze hoqën sot ndalimqarkullimin për natën e vendosur përpara 10 ditësh në Bangkok dhe në 23 provinca të vendit pas akteve të përgjakshme të dhunës që ndodhën në kryeqytet, njoftoi kryeministri Abhisit Vejjajiva.
"Ndalimqarkullimi do të hiqet, por gjendja e emergjencës mbetet në fuqi", deklaroi Abhisit për shtypin. Zyrtarët e sigurisë e morën këtë vendim "sepse situata është nën kontroll", shpjegoi ai.
Ndalimqarkullimi është vendosur më 19 maj pas përfundimit të sulmit të ushtrisë kundër lagjes së pushtuar në qendër të kryeqytetit nga manifestuesit antiqeveritarë. Operacioni u pasua nga trazira dhe zjarre.
Situata iu rikthye normalitetit këtë javë në Bangkok.
Që prej fillimit të manifestimeve të "këmishëkuqve" në mes të marsit, të paktën 88 persona kanë vdekur dhe rreth 1 900 janë plagosur.
/I.Pu.