Turdiu: Lëvizja Pa Viza Realitet Brenda Këtij Viti
TIRANE, 29 Maj/ ATSH- A.Gegvataj/. - Brenda muajit qershor të këtij viti shteti shqiptar do të përfundojë përmbushjen e tre kërkesave teknike të përcaktuara nga Komisioni Europian pas vendimit për përfshirjen e Shqipërisë në listën e Bardhë Shengen.
Në një konferencë për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Gazmend Turdiu, deklaroi sot se "hapi i radhës është përmbushja e 3 nënçështjeve dhe se premtimi për lëvizjen pa viza për të gjithë qytetarët do të jetë realitet brënda këtij viti".
Turdiu pohoi se "në muajin korrik pritet të vijë ekipi i ekspertëve për të verifikuar në vënd raportimet tona për plotësimin e këtyre 3 nënçështjeve dhe besojmë që Parlamenti Europian do të përfundojë procedurat e miratimit të propozimit ne muajin shtator".
Ai shtoi se pas kësaj faze do të jetë Këshilli i Ministrave që do të miratojë propozimin e Komisionit Europian brenda vjeshtës.
"Ekzistojnë të gjitha kushtet që 20 ditë pas miratimit përfundimtar nga Këshilli i Ministrave të bëhet botimi në fletoren zyrtare të BE-së i vendimit që hyn mënjeherë në fuqi për shtetasit shqiptarë", shtoi më tej ai.
Turdiu bëri të ditur se "Ministria e Jashtme ka filluar dhe një fushatë informimi për qytetarët shqiptarë se cfarë do të thotë liberalizimi i vizave, në mënyrë që të gjithë të dinë të drejtat që kanë, por edhe përgjegjësitë e tyre". /a.ke/