Vlorë: Nis Rehabilitimi I Plazhit Të Vjetër
VLORË, 29 maj/ATSH-H.Koçi/ - Ndërmarrja e Shërbimeve Publike nisi të shtunën punimet për rehabilitimin e Plazhit të Vjetër, një prej mjediseve më të frekuentuara nga turistët.
Drejtori i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, Ertel Shehu, tha për ATSH-në se, "punimet synojnë sistemimin, pastrimin dhe plugimin e rërës për ta shndërruar plazhin në një mjedis të përshtatshëm dhe atraktiv për pushuesit."
Sipas tij, në dallim nga plazhet e tjera të bregdetit të Vlorës, Plazhi i Vjetër ka një rërë të pastër dhe të pasur me jod, ndërkohë që nuk ka ndotje nga faktorë të tjerë anësorë, siç janë derdhjet e kanalizimeve të ujrave të zeza etj.
Gjatë këtyre viteve, në Plazhin e Vjetër janë realizuar investime të konsiderueshme, që e kanë shndërruar atë në një mjedis të përshtatshëm pushimi. Në vitet e para pas 1990-ës, ai u braktis nga pushuesit që u zhvendosën në pjesë të tjera të bregdetit, ndërkohë që një sipërfaqe e konsiderueshme u zaptua nga ndërtimet pa leje./ch/