Tiranë, 30 maj, NOA – Ministria e Shëndetësisë dhe Fondacioni për Fëmijët Shqiptare kanë nderuar sot me medalje mjekun italian Xhovani Bokioti për ndihmën e dhënë për fëmijët që vuajnë nga sëmundja e autizmit.
Në ceremoninë e organizuar me personalitete të mjekësisë kanë qenë të pranishëm ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe Presidentja e Fondacionit për Fëmijët Shqiptare zonja Liri Berisha. Një fondacion që trajton në mënyrë specifike autizmin.
Ministri Vasili në vlerësimin për mjekun Bokioti u ndal në punën e tij dhe kontributin që ka dhënë për mjekësinë Shqiptare.
Ndërsa Presidentja Fondacionit për Fëmijët Shqiptare zonja Liri Berisha vlerësoi se mjeku italian ka bërë një punë të shkëlqyer në trajtimin dhe kurimin e mjaft pacientëve me këtë sëmundje.
Ajo u shpreh se janë shumë ndërhyrje serioze për fëmijët shqiptarë që janë bërë nga mjeku Xhovani Bokioti. Mjeku humanist italian u vlerësua me certifikatën e mirënjohjes.
m.xh/NOA