Berati, Qyteti Magjik Që Frymëzon Artistët E Huaj
BERAT, 30 Maj/ATSH- Rr.Isufaj/- Qyteti muze i Beratit, pasuri botërore e UNESKO-s, duket se është burim frymëzimi jo vetëm për artistët shqiptarë, por edhe më gjerë.
Të fundit që janë magjepsur nga bukuria dhe madhështia e Beratit mbi 2400 vjeçar dhe veçanërisht nga kalaja ishin një grup skulptorësh italianë, të cilët punuan dhe 5 skulpltura si dhuratë për qytetin kështjellë.
"Berati, është një qytet shumë piktoresk. Më ka lënë mbresa të thella", tha skulptori italian,Vito Gurrardo i cili së bashku me kolegët e tij, e kanë përkufizuar kalanë si "qershia mbi tortë".
"Kalaja ngjason si nji bizhue të jashtëzakonshme.Pozicioni gjeografik ku është ndërtuar dhe panorama natyrore i japin përmasa magjike. Është një pamje gjigande që nuk të lëshon lehtë. Ajo është një magnet i fuqishëm që të tërheq brenda labirintheve të historisë 2400 vjeçare", shton Gurrardo.
Gurrardo ka lënë në kështjellën e Beratit një pjesë të frymëzimit të tij, të mishëruar në një skulpturë të titulluar "Luftëtari me hesht".
"Mendoj se një vepër e tillë do t'i përshtatej më mirë se çdo tjetër madhështisë së historisë dhe bukurisë magjike të kësaj kështjelle", tha Gurrardo.
Ndërsa skulptori italian, Fausto Sanmartino, në këtë udhëtim në Shqipëri thotë se "kam zbuluar një qytet thesar mesdhetar dhe kjo na bënë të kuptojmë se ka ende thesar të fshehur, siç është Berati".
Për skulptoren e re beratase Albana Xhamallati, e cila banon në Tiranë, ku dhe ka hapur një studio në profilin e qeramikës, qyteti i një mbi një dritareve, është jo vetëm motiv i frymëzimit artistik, por edhe i botformimit.
"Berati është ajo pjesë e kulturës që te unë është induktuar që në fëmijni dhe përbën pjesën e botëkuptimit më të plotë të karakterit tim", tha znj Xhamallati.
Qyteti i Beratit mbart një histori mijëravjeçare. Arkeologët mendojnë se ai është banuar pa ndërprerje që nga periudha parahistorike. Një nga monumentet më të rëndësishëm është kalaja. Me formën e saj të spikatur në trajtë trekëndëshi ajo ngrihet mbi një kodër të lartë 187 m, që ndodhet në bregun e djathtë të lumit Osum. Ky monument ka katër porta komunikimi, një prej të cilave, ajo në juglindje paraqet më shumë interes për shkak të elementeve përbërës të saj. /k.sh/