English

Berisha: E Ardhmja E Shqipërisë, E Sigurt Dhe E Sukseshme

-Kryeministri bisedon me të rinjtë në pikën turistike të Malit të Dajtit - TIRANË, 30 Maj/ATSH/- Kryeministri Berisha u takua të dielën, gjatë një dite pushimi, me një grup të rinjsh në një nga baret e pikës turistike të Malit të Dajtit në Tiranë, me të cilët bisedoi dhe iu përgjigj interesit të tyre për tema të ndryshme si reforma e arsimit të lartë, liberalizimi i vizave, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, roli i opozitës, etj. Zyra e shtypit e qeverisë bëri të ditur se duke u folur të rinjve për procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë, Kryeministri Berisha u shpreh se me vendimin e shpallur ditët e fundit nga Komisioni Evropian u arrit një ëndërr e vërtetë për shqiptarët. "Asnjë qytetar nuk do të ketë më vonesë për t'u nisur drejt destinacionit të tij. Liberalizimi është dhe një lehtësim real financiar", tha Kryeministri. Në bashkëbisedim me të rinjte, Berisha i është referuar Shqipërisë së 20 viteve më parë, kur shumë të rinj u nisën me anije drejt vendeve të Evropës. "Shumë prej tyre ishte moshatarët tuaj, ndërsa ju, shumë shpejt, do të nisen më me dinjitet dhe do të keni mundësinë të njihni hapësirën evropiane, një hapësirë e krijuar mbi bazën e një mrekullie njerëzore, sepse Evropa nuk ka krijuar asnjë mrekulli më të madhe se sa Bashkimin Evropian", u shpreh Kryeministri. Duke iu drejtuar të rinjve, Kryeministri theksoi se "ju keni të sigurt një gjë, po ndërtoni dhe do të gëzoni të ardhmen evropiane që meritoni! Sepse integrimi në Bashkimin Evropian dhe përpjekja e gjithanshme për të arritur ndryshimet brenda vendit, ndryshime të standardeve evropiane, nuk arrihen në një ditë, në një vit dhe as në një dekadë. Lëvizja e lirë lehtëson shumë zhvillimin, e nxit zhvillimin". Në këtë kuadër ai shtoi se "koha ka çmimin më të çmuar për njeriun". Në këtë takim me të rinjtë, Kryeministri u shpreh se rruga për të arritur deri këtu nuk ka qenë e lehtë. "Padyshim që nuk e kemi pasur dhe nuk e kemi të lehtë rrugën tonë, sepse kjo ka qenë historia. Por, nga ana tjetër, e kemi të sigurt dhe të suksesshme. Kjo është absolutisht e vërtetë", tha Berisha. Lidhur me procesin e integrimit, Kryeministri Berisha u shpreh se gjatë gjithë qëndrimit të tij ka kërkuar që ky proces të bazohet mbi meritën. "Në të gjithë qëndrimin tim në këtë proces jam shprehur se ai duhet të bazohet në meritën. Nuk duhet që të pretendojmë të na jepen gjëra që nuk i meritojmë. Kjo, sepse interesi ynë jetik është që ne t'i realizojmë, të bëjmë reforma, të ndryshojmë vendin. Dhe e vërteta është që anëtarësimi në NATO dhe heqja e vizave janë dy rezultatet më historike e më të mëdha të reformave dhe ndryshimeve që janë kryer në këtë vend", tha Kreu i Qeverisë. Për sa i përket opozitës, Kryeministri cilësoi se "Shqipëria është një vend që ka vuajtur për opozitë", sidomos sic u shpreh ai "gjenerata ime që ka vuajtur më shumë se çdo gjë tjetër për opozitë". Berisha iu referua me këtë rast periudhës kur Partia Demokratike, forca që ai drejton ishte në opozitë. "Ne në vitet që qëndruam në opozitë, dua tu rrëfej me shumë sinqeritet, kemi qëndruar shumë të motivuar, me bindjen se po ndërtojmë opozitën. Opozita duhet ndërtuar. Nuk ka demokraci dhe nuk ka zhvillim pa pluralitetin. Në këtë aspekt, opozita është pushteti moral i vendit", tha ai. Kryeministri u ndal edhe në reformën e qeverisë për arsimin e lartë, të cilën e vlerësoi si një nga reformat më të rëndësishme. "Ne jemi përqendruar shumë në reformën në universitete. Nuk ka reformë më të rëndësishme, sepse si do të shkolloheni ju, ashtu do të shkruhet edhe libri i së ardhmes. Ju do ta shkruani atë. Ne i kushtojmë një rëndësi shumë të madhe reformës në universitete. Prapë ka punë për t'u bërë, sepse nga ana sasiore ne kemi ecur shpejt, por po kaq shpejtë duhet të ecim edhe në cilësi. Duhet që, ashtu siç rritëm me shpejtësi numrin e studentëve, të rrisim dhe numrin e pedagogëve", theksoi kreu i qeverisë. Sipas tij, universitetet duhet të kenë numër të mjaftueshëm pedagogësh edhe për mësime, por edhe për kërkim shkencor. "Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ata t'ju ngjallin ju vullnetin dhe dëshirën e kërkimit shkencor. Asgjë nuk e konsolidon, nuk e aftëson dhe nuk e fisnikëron më shumë profesionin sesa kërkimi shkencor", u tha Berisha të rinjve. /k.sh/
KOMENTE