English

Çeki - Zgjedhje - Qendra E Djathtë Qëndron Në Pushtet

PRAGË, 30 maj /ATSH-ANSA/ - Rezultatet e zgjedhjeve në Republikën Çeke tregojnë se gjatë katër viteve të ardhshëm vendi do të qeveriset sërish nga një shumicë e partive të qendrës së djathtë. Socialdemokratët, deri sot në opozitë, realisht morën shumicën e votave por nuk arritën të merrnin numrin e duhur të vendeve në parlament për të krijuar një shumicë qeverisëse. Nga numërimi i votave rezultoi se diferencat ishin të vogla. Socialdemokratët (Cssd) morën 22.1 për qind të votave, Demokratët Civikë (Ods) 20.2 për qind. Partia e tretë u rendit e djathta Top 09 e ish-ministrit të Jashtëm Karel Schwarzenberg, shumë popullor në vend dhe i votuar kryesisht nga të rinjtë. Më pas renditen komunistët (Kscm) me 11.27 për qind të votave dhe partia e Punëve Publike (Vv, e qendrës) ish-gazetarit të njohur Radek John, me 10.9 për qind të votave. Pjesëmarrja në votime ishte 62.6 për qind, kundër 64.4 për qind katër vjet më parë. Lideri i socialdemokratëve, ish-kryeministri Jiri Paroubek, e pranoi dje humbjen dhe shpalli dorëheqjen. Lideri i partisë Ods, Petr Necas, mund të jetë kryeministri i ri i koalicionit të qendrës së djathtë. /e.v/
KOMENTE