Tiranë, 30 maj, NOA – Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Socialiste dhe deputetja Arta Dade deklaroi sot se Internacionalja Socialiste ka mbështetur aksionin opozitar për vendosjen e demokracisë në vend.
Në një deklaratë për mediat, Dade u shpreh se përfaqësuesit e Partisë Socialiste nga vendet e BE-së kanë kërkuar hetimin e zgjedhjeve dhe plotësimin e kërkesave të opozitës. “Edhe një herë Internacionalja Socialiste përsëriti qëndrimin e saj se në Shqipëri Demokracia duhet të riafirmohet”, tha Dade.
Ajo shtoi se Partia Socialiste ka marrë mbështetjen e partive të majta evropiane edhe për hetimin e zgjedhjeve. Hetim, që sipas deputetes së Partisë Socialiste, “duhet të çojë në hapjen e kutive të votimit“.
Dade theksoi në fjalën e saj se Internacionalja Socialiste me rezolutën e miratuar një ditë më parë ka mbështetur gjithë aksionin opozitar të Partisë Socialiste, duke nënkuptuar në këtë mënyrë dhe grevën e urisë.
“Internacionalja Socialiste mbështeti PS në të gjitha hapat e saj të betejës për rivendosjen e demokracisë në vend në mënyrë të veçantë në kompromiset e ofruara dhe vullnetin ofruar për zgjidhjen e krizës”, tha Dade.
m.xh/NOA