English

Durrës: Anija "Emelia", Do Te Tentohet Për Ta Zhbllokuar Nga Cektina Bregdetare

DURRES, 30 Maj /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Specialistët e ndërmarrjes së mjeteve detare do të tentojnë përsëri zhbllokimin e anijes "Emelia", e cila si pasojë e detit të trazuar dy javë më parë doli nga rada e portit në cektinën bregdetare, pranë sektorit "Apollonia" të plazhit më të madh të vendit. Specialisti Enver Gucija, tha për ATSH-në se mungesa e baticës dhe erërave të jugut penguan veprimtarinë e nisur dhjetë ditë më parë për shkëputjen e anijes tregtare nga rëra. Megjithëse proçesi vështirësohet si pasojë e zhytjes së mëtejshme të anijes me peshë 5000 ton në cektinën ranore, me kërkesë të administratorëve privatë të saj do të tentohet tërheqja e saj me rimorkiatorë në drejtim të thellësive detare, sipas Gucija-s. Largimi i anijes është kërkuar edhe nga drejtuesit e bashkisë së Durrësit, sipas të cilëve qëndrimi i saj në bregdetin e plazhit mund të rrezikojë jetën e fëmijëve pushues. Sipas parashikimeve sinoptike në fillim të kësaj jave pritet rritja e nivelit të ujit ne gjirin detar të Durrësit për shkak të ndryshimit të erërave nga kuadranti i jugut, çka besohet se do ta lehtësojë shkëputjen e mjetit të madh lundrues nga rëra. Anija "Emelia" u shkëput nga spiranca pas stuhisë detare të dy javëve të shkuara kur ajo së bashku me nëntë anije të tjera ndodhej në radën e portit më të madh të vendit. Gjashtë muaj më parë pranë të njejtit vend një anije tjetër e përmasave më të vogla u shkëput nga spiranca në të njëjtat rrethana dhe në pamundësi për ta zhbllokuar nga cektina administratorët e saj e prenë pjesë pjesë për skrap hekurishte. /m.sh/f.n/
KOMENTE