Durrës: Kapen Dy Breshka Të Rralla Uji, Njëra Prej Tyre Objekt Studimi
-600 breshka "carreta carretas" nën survejim shkencor shtegtojnë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit për shkak të ndotjes së ujrave bregdetare-
DURRËS, 30 Maj /ATSH-Gëzim Kabashi/- Dy breshka të rralla uji janë kapur sot paradite nga një peshkatar në bregdetin e Durrësit, në një largësi prej 1 milje nga bregu dhe në thellësinë ujore prej 12 metra.
Në veshin e njërës prej tyre është fiksuar një target metalik, në të cilin konfirmohet studimi i tyre shkencor në kuadër të një projekti botëror.
Me peshë prej rreth 50 kg secila dhe një gjatësi trupore rreth 70 cm, dy breshkat kanë mbetur në grepat e peshkatarit Flori Dedja, teksa ai peshkonte prej natës së kaluar në zonën detare përballë Currilave, vetëm 2 km në veri të portit të Durrësit.
Peshkatari Dedja tha për ATSH-në se ato duket të jenë një çift breshkash uji, shumë të rralla në këtë zonë detare. "Unë u habita nga prania e tyre", tha Flori, i cili gjuan prej më shumë se 10 vitesh në këtë zonë.
Në një target metalik alumini, me gjerësi 1 cm, është gdhendur në mënyrë profesionale 'AL 0125", ndërsa në pjesën që duket në anën tjetër të veshit shkruhet një e dhënë tjetër më e rëndësishme "PROF. HAXHIU VORE ALBANIA".
Ndërsa ATSH intervistonte peshkatarin Dedja, ky i fundit shprehu shqetësimin se "breshkat po e humbasin feskinë". Flori, i cili herë pas here me shokët e tij u hidhte ujë breshkave të rralla, do të vijonte se "ato i kanë ende grepat në trup dhe unë kam nevojë të komunikoj me specialistët për të mos i dëmtuar ato gjatë kohës së kthimit në ujë".
Gazetari i ATSH-së iu përgjigj shqetësimit të peshkatarit, duke u vënë në kontakt me profesor Idriz Haxhiun përmes profesorit të njohur të shkencave bujqësore Enver Isufi.
Carreta carretas, specie në zhdukje
"Peshkatarët duhet t'i presin filispanjat e grepave sa më pranë trupit dhe t'i lëshojnë ato përsëri në det", këshilloi prof. Idriz Haxhiu, emri i të cilit ndodhet në targetin metalik.
I kontaktuar me telefon nga ATSH, prof. Idriz Haxhiu tha se breshka e kapur sot është "markuar" prej tij një vit më parë me targetin metalik. Edhe sot ai ndodhej në Patok, ku siç u shpreh për ATSH-në ka vendosur stampat metalike në 10 breshka të tjera uji.
Nga viti 2004, me bashkëpunëtorët e mi kemi "markuar" më shumë se 600 breshka uji të tipit "carreta carretas", shtegtimi i të cilave ka përfunduar jo vetëm në brigjet shqiptare, por edhe në ato të Italisë apo Greqisë; tregon specialisti Haxhiu. Ai shton se deri sot së bashku me me bashkëpunëtorët e tij kanë grumbulluar të dhëna vetëm për 120 breshka nga 600 të tilla që janë nën survejim shkencor.
Sipas profesorit, me përvojë 40 vjeçare, prishja e ekuilibrave natyrorë dhe ndotja bregdetare ka ndikuar në shtegtimin e paqartë të breshkave të detit. "Ato janë parë më shpesh në plazhin e Patokut pranë grykëderdhjes së lumit Ishëm, ku janë shfaqur me shumicë gaforre dhe kandila deti që shërbejnë si ushqim për "carreta carretas"-shtoi prof. Haxhiu, sipas të cilit ky konsiderohet "shtegtim ushqimor", alternativa e dytë pas "shtegtimit riprodhues" të breshkave.
Projekti i mbështetur nga UNDP i ka ndërprerë financimet që para një viti, tregon prof. Haxhiu, ndërsa nënvizon se "me disa bashkëpunëtorë po i vazhdojmë studimet dhe "markimet" e breshkave.
Ai vlerëson qëndrimin e kujdesëshëm të peshkatarëve që kanë kërkuar sot ndihmën e specialistëve dhe duke falenderuar për ndërmjetësimin e ATSH-së shton se qytetarët po ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë për ruajtjen e specieve të tilla në zhdukje.
Prof. Haxhiu kërkoi të njihet edhe me fotot e gazetarit të ATSH-së si dhe me të dhënat e përftuara nga peshkatarët.
Peshkatari i vjetër Bajram Iljazi tha për ATSH-në se prej kohësh në këtë zonë detare pranë Durrësit nuk ka egërsira deti dhe mjaft rrallë janë kapur peshkaqenë të vegjël, por breshka të këtij lloji janë parë të ngordhura rreth 6-7 vjet më parë brenda basenit portual.
Disa vite më parë në afërsi të Durrësit dhe të Spillesë (Kavajë), në dy raste të veçanta, u vranë nga gjuetarët dy pëllumba me targete shkencore nga institucionet studimore të Athinës dhe të ish-Jugosllavisë. /k.sh/