"Eurosong", Gjermania Merr Çmimin E Parë; Shqiperia Ne Vend Te 16-Te
TIRANË, 30 Maj/ ATSH- Suada Daci/- Gjermania ka fituar trofeun e "Eurosong 2010" në Oslo të Norvegjisë, me këngën "Satellite", kënduar nga 19 vjeçarja, Lena Mayer-Landrut e cila grumbulloi 246 pikë nga votimet nga shtete të ndryshme të Europës.
Pas Gjermanisë u listua Turqia me 170 pikë dhe me pas Rumania me 162 pike. Ndërsa këngetarja shqiptare, Juliana Pasha arriti të marrë vetëm 62 pikë duke u renditur në vendin e 16-të mes 25 konkurrentëve finaliste të mbrëmjes.
Në skenën e stadiumit Telenor Arena të Oslo-s u ngjitën të shtunën në mbrëmje këngët e 25 shteteve europiane të cilat ishin përzgjedhur në dy netët gjysmëfinale dhe 5 këngë që hynë automatikisht në garë, falë pozicionit që kishin vitin e kaluar në këtë kompeticion.
Juliana Pasha u ngjit në skenë e 15-ta e shoqëruar nga tri këngëtaret amerikane, Glenys Vargas, Desiree Keedjour nga Çikago dhe Joy si dhe nga tingujt e violinistit të njohur Olen Çezari.
Kënga "It's all about you" ("Nuk mundem pa ty") një kompozim i Ardit Gjebresë dhe tekst të Pirro Çakos u përzgjodh në gjysmëfinalen e parë më 25 maj, ndërsa mbrëmjen e djeshme ajo nuk arriti të futej në 10 këngëtarët më të mirë të Europës. Këngëtarja 30 vjeçare Juliana Pasha fitoi të drejtën të marrë pjesë në edicionin e 55-të të "Eurosong 2010", pasi fitoi në Festivalin e 48 të Këngës në Radio-Televizion .
Juliana Pasha është këngëtarja e shtatë pjesëmarrëse e Shqipërisë në këtë kompeticion të rëndësishëm të muzikës europiane, ku për herë të parë Shqipëria u përfaqësua nga Anjeza Shahini, e renditur e 7-ta në finalen që u zhvillua në Stamboll./f.n/