Oslo, 30 Maj, NOA – 19 vjeçarja gjermane Lena Meyer-Landrut është fituesja e Eurosong 2010, që u mbyll mbrëmë në arenën gjigande Telenor, të kryeqytetit norvegjez.
Mes 125 milionë teleshikuesve në mbarë botën, Lena Meyer-Landrut mbërriti të mahnisë tërë audiencën me këngën “Satellite”, duke mbledhur plot 246 pikë.
Pas marrjes në duar të trofeut të Festivalit të 55-të Europian këngëtarja nuk i fshehu emocionet e saj, që i dhuruan të dytin trofe europian të këngës, vendit të saj, Gjermanisë. "Jam shumë e lumtur që arritëm vendin e parë, ju falenderoj", - tha Lena Meyer-Landrut. "Kjo është absolutisht një mrekulli, nuk mund të jetë reale."
Gjermanët e pritën me ovacione suksesin e maturantes, kënga “Satellite”, e të cilës ishte kthyer kohë përpara festivalit në një hit në Gjermani.
25 shtete sollën magjinë e tyre të interpretimit në arenën Telenor të Eurovision 2010. Në vendin e dytë u rendit Turqia, në të tretin Rumania, mandej Danimarka dhe Azerbajxhani.
Një nga këngët e përfolura për suksesin dhe mjeshtërinë e interpretimit ishte dhe kënga shqiptare me autor teksti dhe muzike Ardit Gjebrenë, “It’s all about you” (Nuk mundem pa ty) e interpretuar nga Juliana Pasha, e cila arriti të renditet në vendin e 16-të.
Me vokalin e saj të veçantë, Juliana Pasha, sipas kritikëve të festivalit dëshmoi për suksesin e muzikës shqiptare në kompeticionin më të rëndësishëm europian të këngës, Eurosong.
Por, jo vetëm, magji tingujsh dhe zërash, pasi si në çdo Eurovision arena e tij u kthye edhe në vendin madhështor të shpalosjes së kulturës së çdo shteti pjesëmarrës, një ndërthurje mes traditës, ekstravagancës, ndriçimit skenik dhe spektaklit.
mit/NOA