English

Kompensimi i energjisë elektrike, nis shpërndarja për të gjithë pensionistët

Tiranë, 30 Maj 2010 NOA - Duke filluar nga dita e nesërme, të gjithë pensionistët që përfitojnë kompensim energjie do të mund të tërheqin bashkë me pagesën mujore të pensionit edhe shifrën prej 640 lekësh në muaj që korrespondon me kompensimin e energjisë elektrike, bënë të ditur sonte, burime zyrtare nga ISKSH (Instituti i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor).

Deri tani këta persona kanë përfituar 500 lekë në muaj kompensim për çmimin e energjisë, bazuar në vendimin Nr. 565 e Këshillit të Ministrave, më 9 gusht 2006.

Bazuar në vendimin e fundit të Qeverisë, Nr. 238, date 7 Prill 2010, kjo masë kompensimi shtohet me 140 lekë, ndërkohë që kjo shtesë do të përfitohet që nga 1 janari i këtij viti.

Përfitues të Kompensimit të Energjisë në shkallë vendi janë rreth 82 mijë kryefamiljarë pensionistë të cilët, në ditën që do të tërheqin pagesën mujore, do të tërheqin kompensimin e muajit qershor në masën 640 lekë, si dhe gjithë diferencat që nga 1 janari e deri në fund të muajit maj, në shumën prej 700 lekësh.

Sipas vendimit të Qeverisë, përfitojnë kompensimin e energjisë elektrike kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror, dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose të vetëpunësuar në sektorin privat si dhe kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie shtetëror, dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura.

r.n/NOA

KOMENTE