Kryeministri Berisha Përshëndet Fitoren E Kualicionit Të Partive Të Qendrës Së Djathë Në Çeki
TIRANË, 30 Maj/ATSH / Kryeministri Sali Berisha përshëndeti sot fitoren e thellë të koalicionit të partive të qendrës së djathtë në Republikën e Çekisë, aleate të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Zyra e shtypit pranë Kryeministrisë njotonte se, kreu i Qeverisë e vlerëson fitoren e koalicionit të djathtë në Çeki, si dëshmi dhe besim të madh të qytetarëve çekë dhe mbarë Evropës, në vlerat e qendrës së djathtë.
"Kjo fitore e thellë që rikonfirmon në pushtet qendrën e djathtë në Çeki", shprehet kryeministri Berisha, "është dëshmia më e sigurtë dhe besimi më i madh që qytetarët e Çekisë kanë tek partitë e koalicionit të qendrës së djathtë, dhe tek platforma e tyre, për të luftuar me sukses krizën ekonomike".
"Fitorja e qendrës së djathtë më Çeki, vijon fitore të tjera të mëdha të partive të qendrës së djathtë, si ajo në Britaninë e Madhe apo në Hungari, në një hark të shkurtër kohor. Këto fitore faktojnë se Evropa blu është e sotmja dhe e ardhmja më e mirë për qytetarët e saj", vijon kreu i qeverisë.
Fitoret e partive aleate të Partisë Demokratike të Shqipërisë, sipas z.Berisha, janë një inkurajim i madh dhe mbështetje për qeverinë e Partisë Demokratike, për të ecur e sigurtë në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian./m.sh/f.n./