English

Kukës: Zhdukja E 6 Vjeçares, Arrestohet Një Fqinj

TË RREME FQINJI KUKËS, 30 Maj/ATSH-R.Hoxha/- Pas 8 ditë kërkimesh për gjetjen e 6 vjeçares Bleona Mata nga fshati Zapot i rrethit të Kukësit, e zhdukur në rrethana misterioze, policia ka arrestuar pasditen e sotme një fqinj të familjes. Burime zyrtare bëjnë të ditur se policia lokale ka ndaluar shtetasin Lufter Jakupi, pasi gjatë seancave hetimore ai ka ndryshuar shpesh herë dëshminë. Jakupi, sipas policisë, dyshohet të ketë parë një autoveturë që është larguar me shpejtësi në afërsi të fshatit, menjëherë pas zhdukjes së vajzës 6 vjeçare. Policia e qarkut të Kukësit prej ditësh është vënë në kërkim të gjetjes së 6 vjeçares, ndërsa vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të zhdukjes së saj, ku pista kryesore mbetet ajo e rrëmbimit për qëllime trafikimi. Fshati Zapod ndodhet rreth 40 kilometra larg qytetit të Kukësit dhe rreth 400 metra larg kufirit me Kosovën dhe nisur nga kjo policia e Kukësit ka kontaktuar dhe me policinë e vendit fqinj, por deri tani kërkimet këtej e andej kufirit kanë qenë pa rezultat. "Policia ka vënë në dispozicion dhe një shpërblim prej 500 mijë lekësh për çdo person që mund të japë informacion", ka njoftuar drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Sadri Ramcaj. Ngjarja zë fill rreth orës 17.00 të datës 22 maj, kur babai i vajzës dha alarmin për zhdukjen e papritur të saj. Vajza e mitur, sipas të atit, ishte duke kullotur delet në livadhet pranë fshatit. Delet janë kthyer, por jo vajza e vogël, gjë që ka shqetësuar familjarët e saj, të cilët kanë informuar menjëherë policinë si dhe banorët e fshatit, të cilët kanë nisur kërkimet. Zhdukjen e papritur të 6 vjeçares nuk e kanë vënë re as fëmijët e tjerë që kanë qenë pranë saj duke kullotur bagëtinë, por vetëm kanë gjetur xhupin e saj në lëndinën rreth 500 metra sipër fshatit. /k.sh/
KOMENTE