English

Libi - Tragjedia Ajrore, Nuk Ka Pasur Asnjë Defekt Teknik

TRIPOLI, 30 maj /ATSH-ANSA/ - Nuk ka asnjë provë, deri tani, që para rrëzimit të Airbus A330 të kompanisë Afriquyiah Airlines më 12 maj në Tripoli, të jetë verifikuar një problem teknik, njoftoi sot komisioni që po heton mbi tragjedinë ajrore në të cilën humbën jetën 103 persona, ndër pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi, dhe në të cilën mbijetoi vetëm një djalë 9 vjeçar nga Holanda. "Në bazë të të dhënave që janë mbledhur nga analizimi i dy kutive të zeza, deri sot, nuk ka asnjë provë se para përplasjes të ketë pasur një defekt teknik", deklaroi presidenti i komisionit, Naji Dhaw. Në raport përjashtohet gjithashtu mundësia se avioni mund të jetë rrëzuar për shkak të ndonjë shpërthimi ose zjarri në bord. Hetuesit theksuan se nuk ka asnjë provë se incidenti mund të jetë shkaktuar nga ndonjë atentat terrorist. Avioni Airbus A330 shpërtheu gjatë uljes pak metra nga pista. /e.v/
KOMENTE