Elbasan, 30 Maj 2010 NOA Update – Vrasja që ndodhi pasditen e sotme në një fshat të Elbasanit ishte hakmarrje pastër, por me protagoniste si rrallëherë, femra.
Drejtori i Policisë së Elbasanit, Saimir Muçaj foli para pak minutash mbi këtë ngjarje dhe shkaqet e saj.
Muçaj i konfirmoi agjencisë NOA se autorja e dyshuar e krimit, Antoneta Hysa, 50 vjeçe, i mori jetën me sende të forta fqinjës së saj 45-vjeçare, Esma Xibraku.
Ngjarja ndodhi pasditen e së dielës rreth orës 17.50, në fshatin Shalës pranë Belshit në rrethin e Elbasanit.
Nga hetimi doli se Hysa ka qëlluar me një levë në kokë fqinjën e saj Esmanë, duke i marrë jetën.
Policia tha se viktima dhe e dyshuara ishin fqinje me njëra tjetrën dhe e ndjera gjeti vdekjen brenda banesës së saj, pak minuta pasi atje brenda kishte hyrë e dyshuara.
“Ndaj shtetases Antoneta Hysa u mor masa e arrestit si autore e kesaj ngjarje, e cila ka pranuar dhe krimin dhe tani do të akuzohet për vrasje”, - konfirmoi z.Muçaj.
Kryepolici i Elbasanit tregoi edhe se para dy ditësh, forcat policore, kanë vënë në pranga edhe bashkëshortin e autores së dyshuar, Antoneta Hysa, pasi nga kontrolli i banesës se tyre, ishte gjetur dhe sekuestruar ne cilesine e proves materiale, nje arme zjarri automatik, - deklaroi z.Muçaj duke theksuar se vrasja mes grave fqinje, “është kryer per motive hakmarrjeje”.
a.k/r.n/NOA