Një koncert i madh festiv organizohet sonte ora 20.00 në sheshin “Nënë Tereza”. I ftuar special është kantautori i njohur italian Niçolo Fabi si dhe grupi “Sbandieratori di Gubbio”, të cilët do të ofrojnë një spektakël të vërtetë me flamuj. Pjesë e atmosferës do të jenë edhe këngëtarët më të njohur shqiptarë si grupi “Produkt 28”, Orinda Huta, Samanta Karavello, Rosela Gjylbeku, Big Basta dhe Ester Hoxha
Tiranë, 30 Maj 2010 NOA - Atmosfera festive që “Prolog Giffoni” çoi në disa prej qyteteve turistike të Shqipërisë si Saranda, Vlora, Pogradeci, Durrësi dhe Lezha përmes projektimeve të filmave për fëmijë dhe të rinj, por edhe përmes koncerteve të organizuara në këto qytete, do të përmbyllet me një koncert të madh nesër (30 maj), ora 20.00 në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë.
Si pjesë e aktiviteteve “Shqipëri-Itali: dy popuj, një det, një miqësi” , në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë, në këtë koncert të madh do të jetë i ftuar special këngëtari I njohur italian Niçolo Fabi si dhe grupi i njohur për spektaklet e mrekullueshme me flamuj “Sbandieratori di Gubbio”.
Niçolo Fabi, kantautori italian I cili që nga viti 1996, kur edhe u afirmua si këngëtar ka realizuar 13 albume muzikore. Pas publikimit të këngës “Dica”, një vit më vonë ai konkurron në Sanremo me këngën “Capelli” me të cilën fiton çmimin e kritikës për kategorinë e të rinjve dhe bëhet një zë premtues dhe i dashur për rininë.
Ndonëse i diplomuar për gjuhët neolatine, Fabio i dedikohet tërësisht muzikës, duke nxjerrë në vitet në vijim një sërë albumesh dhe këngësh të suksesshme. “Niçolò Fabi”, “Sereno ad ovest”, “La cura del tempo”, “Novo Mesto”, “Dischi volanti 1996-2006”, “Dentro”, “Violenza 124” janë disa nga albumet e tij, ndërkohë që vetëm një vit më parë u publikua albumi i tij më i fundit i titulluar “Solo un uomo”.
I pranishëm në Tiranë, Niçolo Fabi do të interpretojë disa nga këngët më të suskeshme të repertorit. Veç tij, në koncertin e madh të organizuar nga “Prolog Giffoni”, nesër në mbrëmje, do të ngjiten në skenë këngëtarët e rinj më të njohur shqiptar si grupi “Produkt 28”, Orinda Huta, Samanta Karavello, Rosela Gjylbeku, Big Basta dhe Ester Hoxha, duke premtuar disa orë argëtimi të sigurt.
Për t’i dhënë më shumë ngjyra këtij koncerti, të ftuar specialë nga Italia do të jenë edhe flamurhedhësit. “Sbandieratori di Gubbio” janë të njohur për spektaklet e tyre të paharrueshme me flamuj, një traditë e njohur që nga mesjeta.
Në skenën e ngritur posaçërisht për këtë koncert, ata do të ofrojnë një pamje magjike të lojës me flamuj, shoqëruar njëkohësisht me kolona muzikore që e kthejnë performancën e tyre në një art të vërtetë. Gjatë viteve të fundit, “Sbandieratori di Gubbio “ kanë marrë pjesë në më shumë se 1100 manifestime në të gjithë botën, duke qenë të pranishëm me performancën e tyre në mëse 35 vende të ndryshme.
Një spektakël muzikor dhe viziv për të mos u humbur, realizuar në mbyllje të turit të “Prolog Giffoni”, formati i vetëm që e çon filmin për fëmijë e të rinj në qytete të ndryshme të Shqipërisë, aty ku kinematë mungojnë dhe ku flitet shumë pak për filmat e fëmijëve.
Me një projeksion të realizuar teknikisht nga “Rock Sound”, gjatë koncertit do të shfaqjen pamje filmike nga projeksionet dhe takimet e suksesshme të “Giffoni Filmffestival Albania” dhe “Prolog Giffoni’ me publikun e ri, atë publik që ky format po e rikthen në magjinë e ekranit të madh.
r.n/NOA