English

Qyqarllëk, pamundësi apo mençuri?

Shteti serb po mban zgjedhje “të lira e demokratike” në shtetin e Kosovës! Institucionet e shtetit të Kosovës “po i monitorojnë” ato - nga larg! Ato janë të stepura, të paralizuara dhe krejtësisht të çorientuara. Agresiviteti i shovinizmit serb ka shkuar deri atje saqë tani hapur të deklarojë se “spastrimin etnik të veriut të Mitrovicës do ta vazhdojë me para, duke ua blerë pronat e shqiptarëve të dëbuar”. Institucionet e Kosovës, si gomari te fabula: O Zot, inshalla jam në ëndërr!

Avni Klinaku*

Qyqarllëku

Ajo çka është duke ndodhur në Mitrovicë, është bukur paradoksale! Mitrovica si qytet shqiptar në shekuj iu ka rezistuar me sukses përpjekjeve të vazhdueshme të pushtuesve për ta nënshtruar, asimiluar e kolonizuar, kurse tani nuk po ia arrin dot! Që nga lufta e fundit (1999) pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës është ripushtuar nga Serbia dhe po vazhdon spastrimi i hapur etnik i shqiptarëve. Në prani të forcave ndërkombëtare dhe me bekimin e heshtur të tyre, si dhe nën juridiksionin e shtetit të Kosovës, shqiptarët janë dëbuar nga kjo pjesë e qytetit dhe vendin e tyre e kanë zënë kolonët serbë. Ata po e vazhdojnë jetën e tyre politike dhe qëllimet kolonialiste po i realizojnë dita-ditës, edhe pse ne kemi institucione shtetërore: parlament, qeveri, prokurori, gjyqësi, polici, madje edhe FSK! Kur nuk i kemi pasur krejt këto, më mirë kemi rezistuar!

Pse duhet të jetë kështu!?

A do të thotë kjo se për ne është më mirë të mos kemi institucione fare!? Jo! Në asnjë mënyrë!

Apo më mirë të mos i kemi institucionet çfarë i kemi!? Kështu po gënjehemi me to e po paralizohemi të gjithë nga paraliza e tyre!

Dale, dale! Ç’është kjo paralizë e përgjithshme!? A mos është ky një qyqarllëk yni!? E kaluara nuk po na e jep një mundësi për një deklarim të tillë. Po ç’kemi sot atëherë!? Pse nuk veprojmë!? Pse para syve tanë shteti serb të organizojë zgjedhje, të na dëbojë e të na kolonizojë, e ne vetëm të ofshajmë!? Ofshajmë!? Ofshama është forma e protestës e atyre që nuk mund të bëjnë asgjë! Kjo formë e protestës nuk i bën fare përshtypje Serbisë, ndërsa format tjera janë në duar të institucioneve. Mirëpo në institucionet tona është rikthyer një filozofi e kaluar, një filozofi shterpë, një filozofi e kotë – paqja me çdo kusht. Paqe! edhe kur ajo të vret... Paqe! edhe kur ajo të shkatërron... Paqe! edhe kur ajo të çon në luftë... Aha, këtu po u fshehka baza filozofike e qyqarllëkut tonë – tek filozofia jonë. Po ç’na u desh atëherë kjo filozofi!? Ne, në të vërtetë, nuk na u desh, por na e imponuan. Na e imponuan për së dyti “paqësorët” dhe luftëtarët e djeshëm! Dhe tani nga ky koalicion i çuditshëm të gjithë jemi bërë njësoj: qyqarë!

Pamundësia

Krejt kjo çka u tha më lart mund të jetë vetëm një spekulim. E vërteta mund të jetë krejt ndryshe. Ndoshta njerëzit e institucioneve tona janë në një situatë krejt tjetër! Mund të jetë që ata të jenë “trimat e Judbinës” e ne nuk e dimë! Ne e kemi parë vetëm anën e jashtme të tyre: atë të mosveprimit. Por mosveprimi i tyre nuk është e thënë domosdo të jetë qyqarllëk! Ky mosveprim ndoshta (po them ndoshta, sepse nuk jam i sigurt as për këtë) është pamundësi veprimi!?

Kosova sapo ka dalë nga lufta dhe bagazhi i saj luftarak e çlirimtar është halë në sy edhe i pushtuesve, edhe i një pjese të faktorëve ndërkombëtarë. Por më së shumti ky bagazh u pengon atyre që janë në pushtet dhe ata janë të parët që ballafaqohen me pengesa. Shtoja kësaj se në qeveri kanë ardhur shumë njerëz që kanë dalë drejtpërdrejt nga lufta dhe mund ta kesh rezultatin e paralizës së sotme. Shumë njerëzve në qeverinë tonë emblema e UÇK-së ka filluar t’iu rëndojë për së tepërmi në supe dhe po të mos kishin pasur frikë nga opinioni do ta kishin flakur atë me kohë! Kështu siç janë (siç po shihet edhe me fajin e opinionit), ata e kanë të pamundur të veprojnë sepse pastaj bota do të mund t’i quante destabilizues të rajonit, të Evropës e më gjerë... Të veprosh në vendosjen e ligjit dhe rendit në veri të Mitrovicës apo t’i ndihmosh vëllezërit në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë për t’u çliruar nga pushtuesi serb me emblemën e UÇK-së në sup është shumë e rrezikshme, sepse rrezikon ta prishësh fqinjësinë me Serbinë dhe e rrezikon përkrahjen ndërkombëtare! E pa këto nuk jetohet!

Por pamundësia e veprimit të qeveritarëve tanë e ka edhe një anë të rëndësishme, pa të cilën ata edhe do të kishin mundur të shpërthenin ndonjë ditë. Dhe kjo është ana më e rëndësishme e çështjes – korrupsioni. Ndërkombëtarët sapo zbarkuan në Kosovë, punën e parë që ua mësuan qeveritarëve tanë ishte korrupsioni. Kështu ata do t’i mbanin në fre gjithmonë të preferuarit e tyre dhe situata nuk do t’iu dilte asnjëherë nga kontrolli. Për këtë punë qeveritarët tanë u treguan të gatshëm për bashkëpunim (për hir të atdheut, kuptohet). Dhe, në anën tjetër, pse të mos i kenë edhe ata shtëpitë e tyre shumëkatëshe, vilat e veturat luksoze e ngandonjëherë edhe ndonjë femër të bukur? Si krejt bota, pra! A pak kanë vuajtur ata në varfëri, në ilegalitet e në luftë... U takon, ore, u takon! Jo, po, më thoni kujt më tepër iu takojnë të mirat e Kosovës sesa vetë atyre që luftuan e u përpoqën me dekada për të!

Mençuria

E tani, vërtet, mjaft më me spekulime! Pse duhet të flasë dikush tjetër për njerëzit e gjallë e të shëndoshë si molla!? Ata flasin vetë dhe e sqarojnë publikun pse nuk po veprojnë për parandalimin e kolonizimit të veriut të Mitrovicës, e madje edhe të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.

Nuk është e vërtetë se ata janë duarlidhur e as qyqarë, por ata janë të mençur e largpamës.

Ata e kanë zgjedhur një filozofi të përpunuar mirë dhe janë duke i realizuar interesat e popullit me urtësi të paparë deri më tani.

Së pari, ata i kanë angazhuar faktorët budallenj ndërkombëtarë për sprapsjen e qëllimeve serbe dhe vetë vetëm po i presin rezultatet.

Së dyti, kanë planifikuar ta vënë në përdorim pasurinë (se pasuria vjen e shkon) për qëllime politike. Me këto para ata do t’i joshin serbët e veriut dhe do t’i shtyjnë (meqenëse edhe serbët janë budallenj të mëdhenj!) ta pranojnë pavarësinë dhe institucionet e Kosovës.

Së treti, meqenëse Kosovës i kanë caktuar agjendë evropiane dhe euroatlantike, çfarë rëndësie do të kenë kufijtë, apo çfarë rëndësie ka nëse Mitrovica, Presheva, Bujanoci e Medvegja janë me Serbi apo me Kosovë, kur që të dyja do të jenë pjesë e integrimeve ndërkombëtare!? Ose, çfarë rëndësie ka nëse Kosova është me Shqipërinë apo jo kur...

E shihni sa të mençur e largpamës janë qeveritarët tanë!? Ata nuk e humbin kohën dhe mundin kot! E ne gati iu hymë në hak! Jo, jo! Më mirë po e përfundojmë këtu.

(*) Dërguar nga autori, kryetar i Lëvizjes për Bashkim

KOMENTE