Shkodër: Dyndje Vizitorësh Në Ajrin E Pastër Të Liqenit
SHKODËR, 30 Maj/ATSH-G. Marku/- Kanë qenë të shumtë qytetarët që të dielën e kanë kaluar në zonën e Liqenit të Shkodrës, e dalluar për ajrin e pastër dhe bukuritë natyrore.
Shiroka dhe Zogaj, dy pikat turistike përgjatë bregut të Liqenit të Shkodrës, kanë pasur sot vizitorë, jo vetëm nga Shkodra, por edhe nga rrethe të ndryshme të vendit.
Një gjë të tillë e konfirmojnë dhe pronarët e lokaleve, të cilët janë të parët që ndiejnë ardhjen e mysafirëve.
"Përgjithësisht, shkodranët e kanë pasur traditë që të shtunat dhe të dielat t'i kalojnë familjarisht në zonën turistike përgjatë bregut të liqenit, në formë pikniku, ku pjesën më të madhe të ushqimeve e përgatisin në shtëpitë e tyre", tha për ATSH-në pronari i Bar-Restorant "Shiroka" Selami Sukraja, i vendosur pranë molos, në qendër të kësaj pike pushimi.
Sipas tij, një traditë e tillë vazhdon edhe sot, por, në të njëjtën kohë, me ndërtimin e lokaleve komode dhe luksose, një pjesë vizitorëve sistemohen pranë lokaleve.
Krahas lokal "Shiroka", është dhe Bar-Restorant "Simoni", me pronar Rrok Simoni, lokali më i vjetër i Shirokës, poshtë ish-kampit të pushimit të fëmijëve, i rrethuar me një gjelbërim për t`u patur zili.
Pak më tej, në drejtim të rrugës së Zogajve, në afërsi të ujit gjendet bar-restorant "Real", shumë i njohur për peshkun në tjegull që gatuan. Përgjatë kësaj rruge gjendet dhe bar-restorant "Bekteshi", "Rajka", etj, që ashtu si edhe shumë të tjerë presin e përcjellin vizitorë të shumtë.
"Shiroka nuk "vdes" kurrë", thotë Rroku, një shirokas i vjetër që drejton një prej lokaleve më në zë të kësaj zone. Klientët tanë na vizitojnë gjatë të gjithë vitit, si në verë dhe dimër.
Vizitorët këtu identifikohen lehtë nga targat e makinave. Dominojnë ato me targa të Shkodrës, ndërsa nuk mbeten pas dhe mjetet me targa të Tiranës, Durrësit, Lushnjes, por edhe Ulqinit, që në një farë mase janë klientët më të rregullt të kësaj zone.
"Kemi ardhur nga Durrësi, jemi pjesëtarë të shkollës së mesme "Olsi Lasku", tha për ATSH-në Lulzim Agolli, mësues, i cili shoqëron një grup prej më shumë se 50 nxënës.
Profesor Agolli nuk e ka për herë të parë që viziton këtë zonë. I ka ndodhur herë pas here që të shoqërojë grupe nxënësish, ndaj nuk e ka të vështirë të përcjëllë opinionin e tij për Shirokën.
"Edhe ne po na pëlqen shumë kjo zonë", thonë Mikel Dosku dhe Artan Dema, gjimnazistë në vitin e tretë, të cilët vizitojnë për herë të parë Shirokën.
"Shumë bukur në të gjitha drejtimet, por në veçanti për ajrin e pastër dhe klimën kurative që të ofron kjo zonë. Do të vijmë sërish këtu", shtojnë dy nxënëse të tjera, Vitore Zefiu dhe Miljana Ethemaj, të cilat nuk pushojnë së fotografuari, duke pozuar pranë peizazheve piktoreske që të ofron kjo zonë. /k.sh/