English

Shkodër, Turneu Ndërkombëtar I Boksit

NË NË TURNEUN NDËRKOMBËTAR SHKODËR, 30 Maj/ATSH-G. Marku/- Boksi shqiptar, ai amator dhe profesionist, ka triumfuar sërish në arenën ndërkombëtare. Në Turneun Ndërkombëtar, që u zhvillua mbrëmjen e së shtunës në pallatin e sportit "Qazim Dervishi" në Shkodër, me pjesëmarrjen e sportistëve nga Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi dhe Bosnja u zhvilluan 6 ndeshje, ndër to katër me boksierë amatorë dhe dy me profesionistë. Turneu nisi mes boksierëve shqiptarë Elton Cenaj i "Teutës"së Durrësit dhe Kristian Shytanit të Vllaznisë, të peshës deri në 60 kg, ndeshje kjo që u fitua nga shkodrani Shytani. Më pas, për peshën 69 kg, Emiliano Çekini i Shqipërisë, boksier i klubit "Vllaznia", ka mundur me rezultatin e pastër 3- 0 Mario Katiq të Kroacisë. Me të njëjtin rezultat fitoi dhe Aleksander Ramo i klubit Flamurtari ndaj kroatit Vjekosllav Perishiq, ndeshje kjo e vlefshme për peshën 81 kg. Fitorja e radhës në këtë turne u shënua nga shkodrani Kristian Demaj, në peshën 91 kg. Ai mundi kundërshtarin e tij Amer Karakoxhia nga Bosnja. Emocione përcollën dy boksierët profesionistë shqiptarë, Artur Gavoçi dhe Jetmir Kuçi, të cilët u ndeshën përkatësisht ndaj malazezit Edin Simson dhe kroatit Josip Vidoviq. Ndeshjet përfunduan me fitoren e dy boksierëve profesionistë shqiptarë, dalë nga shkolla e boksit shkodran amator. Në një prononcim për ATSH-në, presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Shpëtim Çilotaj, vlerësoi paraqitjen e boksierëve shqiptarë, sidomos atyre profesionistë. Me Jetmir Kuçin, shtoi ai, synojmë të shkojmë drejt trofeut të titullit kampion i Europës në kategorinë e peshës së tij. /m.sh/k.sh/ .
KOMENTE