Sport-Merkato/Lojtarët E Kombëtares Dhe Futbollistët E Huaj, Më Të Kërkuarit Në Merkaton E Superligës
TIRANË, 30 Maj /ATSH- Gjergji Mima/ - Skuadrat e Kategorisë Superiore po mendojnë për forcimin e organikës së tyre në sezonin e ardhshëm dhe futbollistët e Kombëtares që kanë mbaruar kontratat me klubet e tyre janë në qendër të merkatos së ekipeve shqiptare.
Elbasani i Kategorise Superiore ka gati një ofertë të bujshme. Në zarfin e tij ndodhen jo pak, por 100 mijë euro për të siguruar shërbimet e mesfushorit të Kombëtares, Klodian Duro.
Ish-mesfushori i Tiranës nuk është më në planet e Apollon Limasol në Qipro, ku luajti në dy sezonet e fundit, së bashku ehe me edicionin me Omonia Nikosia.
Duro njihet për eksperiencën e klasin e tij, dhe në Shqipëri, përveç Elbasanit (skuadrën e parë të tij), Vllaznisë e Tiranës ka luajtur edhe për pak kohë me Partizanin, ashtu sikundër ka luajtur në Turqi (me disa ekipe) dhe Gjermani.
Ndërkohë, pas konfirmimit paraprak të mbrojtësit maqedonas të Metalurgut të Shkupit, Dimitrija Lazarevski dhe sulmuesit brazilian të Gramozit, Markos Dos Santos, Besa e Kavajës është shumë pranë firmosjes me mbrojtësin kroat Matko Djarmati.
Fituesit e Kupës së Shqipërisë do të marrin pjesë në Europa League dhe Djarmati, i cili në pjesën e parë të sezonit të kaluar veshi fanellën e Skënderbeut dhe në të dytën atë të Kastriotit, mund të jetë një përforcim i goditur në skuadrën e trajnerit Shpëtim Duro.
Ndërsa sulmuesi serb, Mlladen Bërkiç, (15 gola sezonin e kaluar) i dha fund aventurës me Apoloninë, tashmë të rënë në Kategorinë e Parë. Vllaznia e Flamurtari në Kategorinë Superiore dhe Partizani në Kategorinë e Parë janë të interesuara për serbin.
Pak ditë më parë dhe mbrojtësi Maringlen Shoshi shprehu dëshirën për t'u larguar nga Apolonia. /k.sh/