Jeta është shumë më tepër se thjesht shuma e atomeve, është në mënyrë të paevitueshme e lidhur me frymën hyjnore. Për njerëzimin mund të jetë shok, fakti që shkencëtarët duan të krijojnë jetë artificiale
Krijimi i jetës është puna e Zotit. Thellë në psikikën njerëzore, pavarësisht shpjegimit racional fizik dhe kimik, ekziston një sens që thotë se biologjia është diçka më shumë. Është shumë më tepër se thjesht shuma e atomeve që lëvizin dhe bashkëveprojnë me njëri-tjetrin, është në mënyrë të paevitueshme e lidhur me frymën hyjnore, me esencën e jetës. Për njerëzimin mund të jetë shok fakti që shkencëtarët duan të krijojnë jetë artificiale.
Nëse do të uleshe në një tavolinë për të krijuar një jetë njerëzore nga zero, me shumë mundësi nuk do të merrje J. Craig Venter si model. Nuk do të zgjidhje ta vendosje krijesën tende në rrezik për t'u prekur nga Alzajmeri, pasi Venter është i predispozuar të rrezikohet nga ai. Me siguri do të pëlqeje të zgjidhje sytë e tij të shndritshëm bojëqielli, si për ngjyrën e mrekullueshme, ashtu edhe për largpamësinë e tyre. Patjetër që edhe truri gjenial do të ishte një zgjedhje mjaft e mirë edhe pse kolegët e tij e konsiderojnë arrogant.
Është ironike që një organizëm jo perfekt si Venter, t'ia ketë kushtuar karrierën e tij kuptimit të mekanizmit të organizmave të tjerë. Ai ka qenë lideri i një apo dy skuadrave që në vitin 2000 renditën genomën njerëzore, një "manual" prej 25.000 genesh që përcakton se jemi njerëz e jo zogj, kafshë apo pemë. Po të njëjtën punë më pas e kanë kryer me qindra organizma të tjerë. Por, 61-vjeçari Venter, ndoshta ka arritur të bëjë diçka më intriguese, më inovative dhe më shokuese se kaq. Sipas një artikulli të publikuar ditët e fundit nga gazeta "Science", ai ka shkuar përtej renditjes së thjesht të genomeve dhe ka dizenjuar, madje ka ndërtuar një të tillë. Me fjalë të tjera, ndoshta ka arritur të krijojë jetën.
Megjithatë, të përkufizosh atë çfarë ne quajmë jetë është bërë argumenti më i nxehtë i viteve të fundit. A jemi të gjallë? Sigurisht që po. A është i gjallë një virus? Ndoshta. Edhe sot, gati gjysmë shekulli pas zbulimit të spirales së dyfishtë, asnjëri nuk vë në dyshim faktin që AND-ja është ajo që përcakton se çfarë jemi ashtu si linjat e kodeve përcaktojnë software-in dhe sinjalet muzikore në një CD përcaktojnë muzikën që dëgjojmë. Vendos sinjale të reja dhe do të dëgjosh një këngë të re. Kjo, në terma gjenetike, është ajo çfarë ka bërë Venter. Duke punuar me katër nukleotidet bazë që krijojnë AND-në (adenine, citozina, guanina dhe timina) ai ka krijuar një kromozom tërësisht të ri për të gjeneruar kështu një krijesë të re njëqelizore. Vendose këtë genom në një qelizë, ashtu siç vendos një CD në kompjuter dhe do të krijosh qenie të reja njerëzore. Venter nuk e ka bërë ende këtë dhe për këtë arsye as ai vetë nuk e pranon që ka "shpikur" jetën. Megjithatë, ka demonstruar diçka shumë të rëndësishme, nëse një genom transplantohet nga një qelizë ekzistuese tek një tjetër, ai do të shkatërrojë programimin e mëparshëm gjenetik për të krijuar një tërësisht të ri. Përderisa kjo teori ka funksionuar me një kromozom të "grabitur" nga një krijesë e gjallë, nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se do të funksiononte edhe me një kromozom të krijuar vetë. "Fakti se kjo gjë tashmë është e mundur, është kthyer në një lajm shokues për pjesën më të madhe të njerëzve", thotë Venter.
Ky nuk është aspak ekzagjerim. Genomi në laboratorin e Venterit, i cili ndodhet në Rockville, Md., mund të revolucionarizojë gjenetikën duke prezantuar një rend të ri botëror në të cilin alkimia e jetës ndërrohet në një projekt mekanik. Genomet e krijuar nga njerëzit mund të krijojnë specie të reja që gjenerojnë ilaçe për të kuruar sëmundjet fatale, vaksina tejet efektive madje edhe qeliza që kthejnë energjinë diellore në biokarburant.
Të krijosh këto organizama të vogla "njëpërdorimëshe" nuk është aq komplekse sa të krijosh krijesa më të mëdha shumëqelizore, pra krijesa me aftësi lëvizëse, sjellje, qëllim dhe fytyrë. Këto gjëra të vështira dhe të tmerrshme janë shumë vite larg dhe domosdoshmërisht mund të jenë tepër shqetësuese për shoqërinë për t'u lejuar. Ajo çfarë me sa duket ka bërë Venter megjithatë, është të zbërthejë kodin prodhues. Kur arrin të bësh këtë, nuk ka më limite rreth asaj çfarë mund të ndërtosh.
Ka qenë gjithnjë evidente që Venter do të kthehej në një figurë transformuese, veçanërisht kur ka qenë një djalë i ri. Ai nuk ka qenë kurrë një student i shkëlqyer madje autobiografia e tij e publikuar në vitin 2007 "Një jetë e dekoduar", përfshin edhe dëftesat e shkollës së mesme të mbushura me katra dhe me pesa. Ai gjithashtu, kujton me krenari se si testonte durimin e prindërve dhe pilotëve të aeroportit ndërkombëtar të San Franciscos kur bashkë me një shokun e tij bënin gara me biçikletë për t'ia kaluar avionit që bëhej gati të ngrihej në pistën e fluturimit. Në vitin 1967 ai shkoi në Vietnam ku ishte caktuar të punonte në spitalin e marinës.
Si shumica e njerëzve që përjetojnë luftën nga afër, Venter u kthye në shtëpi i ndryshuar. Ai donte të studionte mjekësi dhe pasi mbaroi kolegjin u fut në Universitetin e Kalifornisë në San Diego. Pas diplomimit në vitin 1972, zbuloi se ishte dashuruar pas biokimisë dhe vendosi të kryente studimet pasuniversitare. Më pas u punësua në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë (NIH) në Uashington.
Aq i entuziazmuar sa ishte për punën e tij, ambiciozi dhe mendjehapuri Venter u fut në kurth nga "ferri i burokracisë", siç e quante ai dhe i lindi përsëri dëshira e madhe për të patur mundësi të testonte idetë inovative që kishte për të transformuar botën e gjenetikës. Në vitin 1992 ai siguroi fonde private për të krijuar kompaninë e tij, Institutin e Kërkimeve Genimike në Rockville. Brenda tre vitesh ai arriti të përfundonte renditjen e parë në histori të genomit të një organizmi të tërë, Haemophilus influenzae, bakteri që shkakton meningjitin. Kompania e tij shumë shpejt u kthye në epiqendrën e të gjithë projekteve dhe kjo ndodhi shumë kohë më parë se Venter të synonte çmimin më të madh në biologji: hartën e genomit njerëzor. Në vitet 1990 një projekt i tillë ishte i paimagjinueshëm, një mozaik kompleksitetesh që përfshin përcaktimin e vendndodhjes dhe funksionit të çdo geni të genomit njerëzor, disa prej të cilëve mund të përmbajnë mijëra e mijëra nukleotide.
Por, tashmë Venter ka shpikur një mënyrë të jashtëzakonshme për të automatizuar procesin duke programuar disa superkompjutera për të regjistruar çdo shkronjë të çdo fragmenti të ADN-së dhe më pas duke bashkuar të gjithë fragmentet me njëri-tjetrin në një mënyrë të thjeshtëzuar dhe të parashikueshme. Nëse faqja e një libri do të grisej në copa të vogla, mund të ringjitej përsëri me lehtësi nëse grisjet do të bëheshin në vende të paracaktuara, për shembull përpara çdo fjale "dhe". Sistemi i krijuar nga Venter funksiononte pak a shumë në të njëjtën mënyrë dhe në vitin 1998 ai parashikoi me krenari se duke përdorur këtë metodë, të cilën e quante renditja shotgun, do ta mbaronte hartën shumë më shpejt dhe më lirë në krahasim me tentativën prej 3 bilionë dollarëshe të financuar nga qeveria dhe të drejtuar nga Dr. Francis Collins.
Për të qenë i sigurt se nuk do t'i mungonin burimet e duhura për të arritur qëllimin për të cilin mburrej aq shumë, Venter u bashkua me gjigantin botëror të teknologjisë, Perkin-Elmer, duke formuar kështu kompaninë e re të quajtur Celera, emër i marrë nga mesi i fjalës "accelerate" (përshpejtoj). Venteri i përkrahur nga Celera dhe Collins i përkrahur nga NIH tentuan më kot që të gjenin gjuhën e përbashkët për të bashkëpunuar dhe gjatë dy viteve pasuese të dy kampet punuan me egërsi duke bërë shpeshherë në konferenca për shtyp për të komentuar se metoda e kujt ishte më e mirë dhe shpikjet e kujt ishin më gjeniale. Collins përqeshi planin e Venterit për të krijuar një database të genomit, harta bazë e të cilit do të jepej falas (siç kishte planifikuar edhe NIH), por do të duhet të paguante kushdo që e dëshironte këtë hartë të detajuar dhe të analizuar.
Në vitin 2000, Venter mbajti premtimin e tij duke e përfunduar punën përpara Collins, por një zyrtar i qeverisë që i njihte të dy burrat sugjeroi një "armëpushim" ndërmjet dy grupeve, në shpresën për të zbehur armiqësinë, duke bërë një prezantim të përbashkët përpara Shtëpisë së Bardhë në vitin 2000. Presidenti Bill Clinton e paraqiti përfundimin e hartës së genomit si "harta më e rëndësishme dhe më e jashtëzakonshme e krijuar ndonjëherë".
Kohët e arta nuk zgjatën shumë. Tek Celera, interesi i madh për një database falas dhe publik nuk rezultoi aspak ide e mirë midis aksionerëve të kompanisë dhe vetëm dy vjet pas ceremonisë së Shtëpisë së Bardhë, Venter u pushua. Për ngushëllim, ai vendosi të japë dorëheqjen. Pasi vazhdonte të ishte një aventurier entuziast, vendosi të merrte pjesë në një plan gjigant, udhëtimi i H.M.S. Challenger, anija që në vitin 1870 drejtoi misionin e parë botëror për të marë kampjone të jetës në oqeanet e botës. Venter do të udhëtonte nëpër të gjithë globin bashkë me një skuadër shkencëtarësh dhe marinarësh dhe çdo 320 km do të zhyteshin në thellësi të ndryshme të oqeaneve për të filtruar çdo shenjë jete që notonte (kryesisht ato mikroskopike) dhe do t'i merrte ato për t'i analizuar në laboratorin e tij të ri, Institutin J. Craig Venter në Rockville. Për dy vjet e gjysmë, nga udhëtimi u zbuluan më shumë se 6 milionë genesh të reja dhe 400 specie të reja mikroskopike. "Shumica e njerëzve mendonin se oqeani ishte një supë homogjene", thotë Venter. "Por 85% e specieve të gjetura nga ne ishin unike".
Ndërkohë që endej midis anijes dhe laboratorit, Venter ishte duke përpunuar një tjetër projekt shkencor po aq gjigant dhe potencialisht revolucionar: krijimi i jetës në laborator. Ndërmjet gjithë organizmave që ai dhe skuadra e tij renditën në vitet drejt genomit njerëzor, ishte Mycoplasma genitalium, një bakter i rrezikshëm, shënjestra e të cilit është e dukshme nga emri. Ky organizëm, genomin e të cilit skuadra e renditi në vitin 1995, ka një nga kromozomet më të vogla të njohura të çdo gjallese vet-riprodhuese, vetëm 485 gene. Ajo çfarë e mundonte Venterin në atë kohë ishte pyetja se sa genome minimalisht i duheshin një organizmi për të mbijetuar dhe për t'u riprodhuar? Nëse arrin të kuptosh këtë, atëherë mund të përcaktosh telajën bazë të AND-së së gjithë qenieve të gjalla dhe më pas ta përdorësh këtë zbulim për të krijuar një version tëndin dhe tërësisht të ri të jetës.
Një dekadë më parë, e vetmja mënyrë për të përcaktuar nëse një mikrobi i nevojitej një gen i caktuar ishte që të hiqje çdonjërin nga 485 një nga një dhe më pas duke i kombinuar dhe të shihje nëse mbijetonte. Megjithatë, deri në vitin 2002, evolimi i kuptimit gjenetik dhe teknologjisë kishte përparuar dukshëm. Në vend që të shpërbënin mikrobin Mycoplasma genitalium, skuadra e Venterit mund ta ndërtonte atë nga e para. Pra, në vend që t'i hiqnin atij pjesët një nga një për të përcaktuar se cili gen e mbante në jetë, ata mund ta ndërtonin duke i shtuar nucleotide dhe duke pritur se kur "do të ndizej", me fjalë të tjera duke krijuar jetë.
Megjithatë, kjo metodë nuk është edhe aq e lehtë. Nukleotidet e AND-së mbahen me njëra-tjetrën nga perla të vogla të futura brenda një fije por, për shkak të strukturës së saj kristalore, kjo fije duket më tepër si xham. "Edhe duke përdorur metoda të thjeshta si për shembull duke thithur pjesët jashtë, rrezikon ta thyesh", thotë Venter. Edhe pse është shumë i vogël për botën mikroskopike, genomit të mycoplasmës i duheshin më shumë se 580.000 nukleotide për t'u krijuar.
Në këtë mënyrë, Venter vendosi t'ia nisë me gjërat e vogla, me një ose dy gene për të vazhduar më pas në këtë mënyrë për t'i bashkuar bashkë duke krijuar pjesë më të gjata AND-je. Por, vetëm veprimi i thjeshtë i bashkimit të tyre u kthye në një sfidë të vërtetë pasi fijet shpesh shkëputeshin nga njëra-tjetra. Përderisa adenina lidhet vetëm timinën dhe citozina vetëm me guaninës, skuadra duhet ta përfundonte çdo fije me një nukleotid që do të mund të lidhej me atë që do të krijohej më pas.
Kjo lloj metode me sa duket funksionoi. Skuadra e Venterit jo vetëm që arriti të krijonte mycoplasmën e tyre personale në laborator, por arritën edhe të ndryshonin strukturën e saj gjenetike. Në fillim ata prezantuan një mutacion që do të parandalonte atë të shkaktonte sëmundje. Më pas, kanë arritur të krijojnë pesë versione të ndryshme duke manipuluar kodin gjenetik. Venter refuzon t'i publikojë ato duke thënë se biologjia molekulare nuk është ende gati për t'i studiuar, por premton se nuk është bëhet fjalë për një eksperiment kundër etikës njerëzore. Hapi tjetër që mund të bëhet brenda disa muajve është të vendosin njërin nga këto gene në një qelizë për të parë nëse me të vërtetë mund të krijojë jetë. "Kjo skuadër po vë bast me reputacionin e saj se kjo do të ndodhë shumë shpejt", thotë Venter.
Jo çdokush mendon se ai do t'ia dalë, ose edhe nëse ia del nuk do të jetë diçka kaq e jashtëzakonshme. Gjigantët korporativë si Du Pont tashmë e kanë vendosur biologjinë sintetike në përdorim industrial. Fabrika e kësaj kompanie në Loudon e për shembull, biliona bakteresh E. Coli ruhen nëpër rezervuare masive. Genomi i bakterit përmban 23 alternime të ndryshme që përdoren për të shndërruar misrin në sheqer dhe për të prodhuar diolin propan, një lloj poliestre e përdorur për të bërë tapete, veshje dhe plastikë. Bakteret punëtore prodhojnë çdo ditë 45 milionë kilogram të materialeve dhe e vetmja gjë që duhej për t'i kthyer këto armiq të shëndetit në miq të industrisë ishte në modifikim i vogël i genomit të tyre, jo ndërrimi i një të riu. "Nëse më pyet a ka diçka që mund të bëj me një kromozom të tërë sintetik, të cilën nuk mund ta bëj tani, përgjigjja është jo", thotë John Pierce, zv.president i teknologjisë në Du Pont Applied BioSciences.
Ish-armiku (ndoshta dhe armiku i ardhshëm) i Venterit, Collins, grupi i të cilit gjithashtu po punon rreth krijimit të geneve sintetike, tregon me zë të lartë këtë dyshim: "Supozojmë se kam një mal me mbeturina në oborr dhe dua t'i heq", thotë ai. "Mund të kalojnë muaj derisa të shpik një pajisje për të mbledhur mbeturinat, ndërkohë që mund të modifikoj korrësen e barit që kam në shtëpi. Pse të mos zgjedh rrugën më të shkurtër?"
Venter e pranon se kjo teori është e saktë nëse ke një vizion të kufizuar shkencor. Ai nuk është i vetmi antikonformist. "Tashmë jemi gati të kalojmë në anën tjetër", thotë Jay Keasling, një bioinxhinier në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley. "Teknologjia po fillon të zbatohet dhe është çmenduri të vazhdojmë të bëjmë biologji në të njëjtën mënyrë që e kemi bërë deri më sot".
Megjithatë, pasi ia ka dedikuar të gjithë karrierën e tij dixhitalizimit, revolucionimit dhe standardizimit të biologjisë, edhe Venter pranon se mund të ekzistojnë disa aspekte të jetës që thjesht nuk mund të kuptohen dhe në këtë pikë duhet t'i përulesh asaj që ai e quan "misteri dhe madhështia" e qelizës. Ky pohim ndoshta është mënyra e një shkencëtari për t'iu përulur madhështisë hyjnore. Njeriu nuk është gati të bëhet Zot.
(*) Marrë nga Bota Sot