Znj. Berisha: Vëmendje Ndaj Personave Me Aftësi Të Kufizuara
shpreh sot Presidentja e Fondacionit "Fëmijët Shqiptarë", znj. Liri Berisha-
TIRANË, 30 Maj/ATSH-A.Gjonaj/ -"Është e rëndësishme të kthejmë kokën dhe të kemi vëmendjen ndaj personave me aftësi të kufizuara", u shpreh sot Presidentja e Fondacionit "Fëmijët Shqiptarë", znj. Liri Berisha në qendrën "Fluturo për Jetën" në Tiranë.
Një vit pas ngritjes së kësaj qendre ku trajtohen reth 200 fëmijë me autizëm, znj. Berisha vlerësoi se "sot kemi avancuar drejt idesë jo vetëm të një qendre, por të një kompleksi me disa ndërtesa ku do të trajtohen disa grupmosha fëmijësh në nevojë".
Të gjithë aktorët, theksoi ajo, duhet të bashkëpunojnë në këtë drejtim, pasi është leva kryesore për të ndihmuar këtë shtresë.
"Të dëgjojmë zërin e tyre dhe të jemi mbështetës për çdo problem dhe çdo ankesë që ata kanë", u shpreh ajo.
E shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili si dhe profesor Giovani Bocchioti znj. Berisha vuri në dukje se këtë vit, Qendra "Fluturo për Jetën", aplikon metodat më të mira bashkëkohore për fëmijët që vuajnë nga çrregullime të spektrit autik.
Brenda disa vitesh kjo qendër, tha znj.Berisha, do të shndërrohet në një shërbim të mirëfilltë për teraupistët dhe specialistët që do të punojnë me fëmijët autikë në Shqipërisë
Përmes një projekti të financuar nga Fondacioni Vodafon Albania, nga data 10 qershor e këtij viti, një grup ekspertësh amerikan të fushës, do të trajnojë stafin e Qendrës "Fluturo për Jetën", dhe do të prodhojë një model trajnimi në shqip, për të pasuar më tej ehde trajnime të tjera në këtë fushë.
Znj. Berisha gjithashtu i njohu të pranishmit edhe me nismën për një program trajnimi për një periudhë tre mujore për prindërit e këtyre fëmijëve, për të mundësuar shërbimin e tyre, dhe për t'i bërë ato aktorë realë për rehabilitimin e fëmijëve të tyre.
Ajo bëri të ditur ngritjen së shpejti të një qendre terapie intensive në periferi të Tiranës, një qendër e përmasave ndërkombëtare, e cila tashmë ka nisur.
"Kjo qendër do të jetë një kompleks me disa ndërtesa ku do të trajtohen grup mosha të ndryshme, me një numër të madh funksionesh dhe shërbimesh terapeutike jo vetëm për fëmijërinë e hershme por edhe për fëmijët mbi 6 vjeç", tha znj. Berisha.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, sipas znj.Berisha, së shpejti do të fillojë puna për ndërtimin e Regjistrit Kombëtar të Fëmijëve, kur në shumë vende, grumbullimi i këtyre të dhënave, ka shërbyer si një nxitje dhe orjentim për politika shumë të mira në dobi të familjeve të fëmijëve autikë.
Znj. Berisha gjithashtu kërkoi bashkëpunimin me të gjitha institucionet publike, që përmes programeve efektive trajnimi, të identifikohen që në moshë të herët fëmijët në risk.
Në kuadër të 1 qershorit, festës së fëmijëve znj, Berisha e shoqëruar nga prof Bacchiotti shpërndau disa dhurata fëmijëve në Spitalin Pediatrik.
Znj. Berisha u shpreh se ky akt do t'iu sjellë pak gëzim fëmijëve që s'do të mund të jenë në familjet e tyre në këtë festë.
/f.n/