Aderholt: Shqipëria, Reforma Të Jashtëzakonshme Dhe Arritje Mbresëlënëse
- Kryeministri Berisha takon kongresmenin amerikan, Robert Aderholt -
TIRANË, 31 Maj/ATSH/.- Kongresmeni Robert Aderholt, anëtar i Komisionit të Sigurisë dhe Bashkëpunimit me Evropën në Kongresin Amerikan, i njohur si Komisioni i Helsinkit, vlerësoi sot, reformat e jashtëzakonshme dhe arritjet e Shqipërisë, të cilat i cilësoi "mbresëlënëse".
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, gjatë një takimi me Kryeministrin Sali Berisha, kongresmeni Aderholt theksoi se "SHBA-të do të vijojnë mbështetjen ndaj Shqipërisë, në të gjitha fushat e bashkëpunimit në interes të dy kombeve".
Kongresmeni Aderholt e cilësoi një vepër madhore, realizmin e projektit madhështor të rrugës së kombit, të cilën pati rastin ta vizitojë gjatë kësaj vizite.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi mbështetjen që SHBA i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, veçanërisht për anëtarësimin në NATO dhe prezantoi reformat e rëndësishme të ndërmarra nga qeveria shqiptare në të gjitha fushat.
Kryeministri Berisha u ndal te vendimi i Këshillit për shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe përgatitjen e dorëzimin e përgjigjeve të Pyetësorit në KE nga ana e Shqipërisë, si dhe vendimin e fundit historik të Komisionit për të propozuar heqjen e vizave për shqiptarët.
"Pas anëtarësimit në NATO, kjo është ngjarja më e rëndësishme për qytetarët shqiptarë, e cila do i sjellë ata më pranë Evropës dhe realizimit të ëndrrës së kombit për rikthim në familjen evropiane", u shpreh kryeministri Berisha.
/m.m//n.m/