English

Be - Frattini: Evropa Të Mbajë Objektivin E Saj Për Zgjerimin Me Ballkanin Perëndimor

SARAJEVË, 31 maj /ATSH-ANSA/ - Bashkimi Evropian duhet të mbajë objektivin e vazhdimit të zgjerimit me vendet e Ballkanit perëndimor dhe qytetarët e këtij rajoni duhet të kenë perceptimin e qartë të gatishmërisë së Bashkimit Evropian për të mirëpritur shtete të reja anëtare, ka deklaruar ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini, në një intervistë të publikuar sot nga e përditshmja e Sarajevës, "Dnevni Avaz", në prag të konferencës BE-Ballkan të mërkurën në kryeqytetin boshnjak. Sipas kryediplomatit italian, "ka ardhur momenti për të analizuar progreset e arritura nga vendet e Ballkanit perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian". "Zgjidhja e problemeve të Bosnje Hercegovinës është një prioritet për komunitetin ndërkombëtar dhe për këtë arsye është e rëndësishme që konferenca BE-Ballkan të mbahet në Sarajevë, qyteti me një domethënie të jashtëzakonshme historike", ka deklaruar Frattini. Për ministrin italian, "qytetarët e Bosnjes duhet të kuptojnë se progresi në rrugën drejt BE-së është një mundësi e rëndësishme për reformën e institucioneve të tyre dhe futjen e sistemeve moderne dhe funksionale". Në intervistën për gazetën "Dnevni Avaz", Frattini ka ritheksuar edhe angazhimin e tij personal për liberalizimin e regjimit të vizave për qytetarët e Ballkanit perëndimor, duke garantuar se edhe për Bosnje Hercegovinën "ky vendim do të merret gjatë këtij viti". /e.v/
KOMENTE