English

Beja:Marrëdhëniet Më Të Ngushta Me Shba-Në Janë Vendosur Nga Maxhoranca E Sotme

TIRANË, 31 Maj/ATSH-Anila Struga/.- Kryetari i komisionit parlamentar të politikës së jashtme, Fatos Beja tha të hënën se "maxhoranca e sotme është ajo që ka vendosur marrëdhëniet më të fuqishme me SHBA-në, që nga fillimet e krijimit të saj". Kryetari i komisionit të jashtëm reagoi ndaj deklaratës së sotme të deputetit socialist, Ilir Gjoni, i cili e konsideroi "anormale" situatën e marrëdhënieve mes maxhorancës dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, John Withers, pas kritikave që ky fundit bëri ndaj rrëzimit në Kuvend, të kandidaturës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, Vangjel Kosta. "Në funksionimin e tij, parlamenti vepron në përputhje me Kushtetutën. Nëse ka një shkelje të Kushtetutës, ka dhe një mënyrë institucionale për të kundërshtuar një vendim të parlamentit, që është e mundshme. Por ka dhe një rrugë ligjore, që është e hapur për opozitën, e cila ka mundësira që të përdorë instrumentat ligjorë që i jep Kushtetuta, për të kërkuar nëse mendon se ka një lëvizje që është në kundërvënie me të", iu përgjigj Beja deklaratave të sotme të opozitës. Më 19 maj, Kuvendi rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës, që propozonte kandidaturën e Vangjel Kostës për postin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Deputetët e maxhorancës miratuan dy dekretet e tjerë për emërimin e Altina Xhoxhajt dhe të Bashkim Dedjes në dy postet e tjera vakante në këtë Gjykatë./n.m/
KOMENTE