Berisha: Bashkëpunimi Ekonomik Mes Shqiperisë Dhe Serbisë Në Interes Të Qytetarëve Të Dy Vendeve
- Kryeministri Berisha takon ministrin serb të Energjetikës dhe Minierave, Petar Skundric -
TIRANË, 31 Maj/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha vlerësoi sot, se "hapja e një kapitulli të ri të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë është në interesin më të mirë të qytetarëve të këtyre dy vendeve".
Sipas zyrës së shtypit pranë qeverisë, Kryeministri Berisha priti sot në një takim ministrin serb të Energjetikës dhe Minierave, Petar Skundric dhe delegacionin që e shoqëronte.
Kryeministri Berisha vlerësoi se "ky takim kontribuon në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve në shumë fusha, veçanërisht në fushën e energjisë".
Zhvillimi dhe liberalizimi i tregut të energjisë, sipas Kryeministrit Berisha, përbën një ndër prioritetet më të rëndësishme të qeverisë shqiptare.
"Në konsideratën e burimeve të shumta ujore qeveria shqiptare ka iniciuar projekte ambicioze për ndërtimin e 440 hidrocentraleve të vogla. Investitorët serb mund të gjejnë me interes të investojnë në Shqipëri edhe në burime alternative të energjisë, si të erës apo qymyrit, në kushtet e një mjedisi të favorshëm për zhvillimin e biznesit dhe të një rritje të qëndrueshme ekonomike", tha Berisha.
Nga ana e tij, ministri Petar Skundric mbështeti idenë se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve kontribuon në përfitime reciproke për të dy vendet. Ai theksoi se "qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës nuk duhet të pengojë zhvillimin e marrëdhënieve të qëndrueshme ekonomike dhe se vizita e sotme shënon vetëm fillimin për një bashkëpunim rajonal në fushën ekonomike".
Serbia nëpërmjet linjave të konjeksionit dhe marrëdhënieve me vendet të tilla si Rusia, Ukraina, Bjellorusia etj., ofron akses ndaj një tregu më të madh energjetik.
Në këtë këndvështrim, në frymën e angazhimit reciprok, së shpejti do të firmoset në Beograd një marrëveshje bashkëpunimi mes ministrit serb të Energjetikës dhe Minierave, Petar Skundric dhe ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës të Shqipërisë, Dritan Prifti./m.m//n.m/