Berisha: Qeveria, Çdo Përpjekje Në Mbështetje Të Kërkimit Shkencor
- Kryeministri Berisha përshëndet punimet e Kongresit të Dytë Ndërkombëtar për Shkencat Mjekësore -
TIRANË, 31 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha tha sot, se decentralizimi i shkencës ka një rëndësi jetike dhe siguroi se "Qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të mbështetur veprimtarinë kërkimore shkencore".
Këtë deklaratë Kryeministri Berisha e bëri gjatë përshëndetjes sot pasdite të punimeve të Kongresit të Dytë Ndërkombëtar për Shkencat Mjekësore, që u zhvillua në ambientet e Pallatit të Kongreseve, në Tiranë.
Duke i vlerësuar shkencat mjekësore si profesionin më fisnik të të gjitha profesioneve, Berisha u shpreh se "shkencat mjekësore kanë të bëjë me atë që është më e rëndësishmja për qeniet njerëzore, shëndetin dhe jetën e tij".
Kryeministri u shpreh se "plazma e këtij profesioni është kërkimi shkencor".
Duke çmuar profesionin e mjekut dhe infermierit, si "një sagë sakrifcash të mëdha njerëzore", kryeministri Berisha tha se "asgjë se fisnikëron dhe gjallëron më shumë atë, se sa kërkimi shkencor".
Në këtë drejtim, ai ftoi studentët e mjekësisë që të marrin pjesë në kërkimin shkencor dhe të jenë ekzigjent me projektet e tyre. Kreu i Qeverisë i bëri gjithashtu thirrje pedagogëve që të vlerësojnë kërkimin shkencor, si një nga detyrat më kryesore për studentin.
"Nuk ka udhëtim më mahnitës, më të bukur dhe më fisnik se udhëtimi drejt horizonteve të shkencës. Ky udhëtim kalon gjithnjë nëpërmjet kërkimit shkencor", tha Kryeministri Berisha.
Duke vlerësuar rëndësinë e decentralizimit të shkencës, Kryeministri Berisha premtoi krijimin e lehtësirave më të mëdha për të gjetur fonde në mbështetje të studimeve dhe projekteve shkencore.
"Ne do të krijojmë mbështetje të plotë për të gjithë bazën laboratorike për studimet tuaja. Universitetet tona përballen me disa vështirësi aktuale në raportin e numrit të pedagogëve me atë të studentëve. Unë ju garantoj se do të rrisim numrin e pedagogëve në shkallën më optimale dhe do të shumëfishojmë fondet për fakultetet dhe universitetet", tha Kryeministri Berisha./n.m/