Tiranë, 31 maj, NOA Foto Update – Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e grupit parlamentar se ish-Presidenti komunist Ramiz Alia duhet të përgjigjet për Masakrën e Tivarit, të ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore ku u shënuan rreth 4 300 të vdekur.
Duke folur për grevën e urisë së PS-së, Berisha u shpreh sot se vetëm Ramiz Alia e përshëndeti atë publikisht. Më pas kreu i PD u shpreh me tone të ashpra se ish-Presidenti Alia është një nga njerëzit që ka punuar fort kundër elitës së kombit dhe ka bërë dënime ndaj tyre.
Duke nënvizuar akuzën për Masakrën e Tivarit, Berisha u shpreh se Parlamenti duhet të merret me këtë çështje, pasi kjo masakër siç tha ai, është e njëjtë me atë të pyllit të Katynit në Poloni ku u vra gjithë elita e ushtrisë polake nga Bashkimi Sovjetik.
Sipas historisë zyrtare, Masakra e Tivarit është një masakër që iu bë të rekrutuarve shqiptarë nga Kosova në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Tivar, Mali i Zi dhe në rrugën për në Tivar. Numri i të vrarëve në këtë masakër, sipas burimeve historike, është rreth 4300 njerëz të pafajshëm.
Kur nazistët ishin në tërheqje e sipër nga territori i ish-Jugosllavisë, frontet u krijuan në Srem të Vojvodinës dhe në atë të Adriatikut në veriperëndim të Jugosllavisë.Shqiptarët u rekrutuan për t'u dërguar në luftime në këto fronte ndërsa brigadat serbe i forcuan pozitat e tyre në territorin e Kosovës.
Gjithsejt 44.523 shqiptarë nga Kosova dhe viset tjera etnike u rekrutuan dhe u dërguan në luftime larg Kosovës për ta zvogëluar rrezikun e çfarëdo rezistence ndaj autoritetit serbo-jugosllav që do të vendosej në Kosovë.
Pas rekrutimit masiv, trupat shqiptare morën urdhrin për t'u çarmatosur. Një pjesë u vranë dhe një pjesë u helmuan.
m.xh/NOA