English

Dossier/Duhanpirja-Tendencë Rritjeje Tek Femrat

E TEK FEMRAT - Në Ditën Botërore kundër Duhanit - TIRANË, 31 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ . - Duhani vret është mesazhi që përcillet në 31 Maj, Ditën Botërore kundër Duhanit. Ndërkohë, përdorimi i duhanit është një nga kërcënimet më të mëdha të shëndetit publik, që bota ka hasur ndonjëherë, konsideron Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Ndërsa në botë numërohen më shumë se 1 miliardë duhanpirës, edhe në vendin tonë ky fenomen vazhdon të mbetet shqetësues. Të dhënat tregojnë se ka një tendencë në rritje të konsumimit të duhanit tek femrat, kryesisht ato të Tiranës, apo dhe ato më të shkolluara. "Kemi një tendencë të qartë rritjeje tek femrat dhe kjo na bën të fokusohemi më shumë tek kjo kategori, sidomos tek ato të Tiranës, si dhe më të edukuara, që janë në fillimet e tyre të epidemisë", tha sot për ATSH-në drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli. Sipas tij, vërehet që ka tendencë për rënie të pirjes së duhanit, lënie të tij tek moshat 40 vjeçare, por një rezistencë për rënie tek 20 vjeçarët. "Tek meshkujt 40 vjeçarë duhet të mendojmë më shumë për ofrimin e shërbimeve për lënien e duhanit", theksoi Ylli. - Duhanpirja tek femrat - Të dhënat nga Studimi Demografik dhe Shëndetësor 2008-2009 tregojnë se te gratë pirja e duhanit është e përqendruar tek ato që jetojnë në Tiranën urbane në masën 14 %, tek femrat me universitet ose arsim të lartë, 15 % dhe tek ato me indeksin më të lartë të pasurisë, 12 %. Niveli i duhanpirjes për femrat është më i lartë për grupmoshën 20-24 vjeç, në masën 7 %, dhe 25-29 vjeç, 10 %, ndërkohë që është 4 % më i ulët në grupmoshat më të mëdha, çka tregon se duhanpirja mes femrave është një dukuri e përhapur relativisht kohët e fundit. Mes femrave që aktualisht pijnë cigare, më shumë se gjashtë në dhjetë (61 %) raportuan se kishin pirë 10 ose më shumë cigare në 24 orët e fundit. Kjo përqindje është më e larta mes fermave në moshën 25-29 vjeç (70 %), mes atyre që jetojnë në zonat urbane (67 %) dhe në Tiranën urbane (83 %), mes femrave me arsim universitar, ose më të lartë (74 %) dhe mes atyre me nivelin më të lartë të pasurisë (93 %). Përqindja e femrave që janë duhanpirëse aktualisht është rritur nga 3 % që ishte në 2002, në 4 % në 2008-09. - Duhapirja tek meshkujt - Nivelet më të larta të duhanpirjes për meshkujt gjenden mes atyre që jetojnë në rajonin malor, 46 % dhe meshkujve pa arsim apo me arsim fillor 4-vjeçar, 59 %. Ndërkohë, nuk ekzistojnë dallime të forta në nivelet e duhanpirjes, sipas vendbanimit urban-rural dhe niveleve të pasurisë. Për meshkujt, nivelet e duhanpirjes rriten me moshën, duke arritur në masën prej 56 % mes meshkujve në moshës 30-34 vjeç; pas kësaj moshe mbetet në nivel të ngjashëm, 53 deri 55 %, duke treguar që nivelet e duhanpirjes mes meshkujve nuk kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore gjatë viteve të fundit. Mes meshkujve që pijnë cigare, më shumë se nëntë në dhjetë (93 %) raportuan se kishin pirë më shumë se 10 cigare në 24 orët e fundit. Nuk ekzistojnë dallime të forta në përqindjen e meshkujve që pijnë 10 ose më shumë cigare në ditë dhe karakteristikave të ndryshme të përzgjedhura, përveç grupmoshës 15-19 vjeç, e cila karakterizohet nga një përqindje shumë më e ulët e atyre që pijnë 10 ose më shumë cigare (72 %) se sa grupmoshat e tjera (91-97 %). Ndërkohë, vihet re rënie e ulët e nivelit të duhanpirjes tek meshkujt, ku përqindja e atyre që pijnë cigare ka rënë nga 46 % në 2002, në 43 % në 2008-09. - Mosha mesatare e nisjes së duhanpirjes - Mosha mesatare, në të cilën femrat dhe meshkujt fillojnë të pijnë duhan, është përkatësisht 21.1 dhe 19.2 vjeç. Femrat e zonave urbane (21.0 vjeç), ato në Tiranën urbane (20.5 vjeç), me arsim universitar ose më të lartë (20.6) dhe ato në treguesin më të lartë të pasurisë (20.6 vjeç) kishin filluar duhanpirjen në një moshë më të re mesatarisht se sa ato nga grupe të tjera. E kundërta është për meshkujt; meshkujt nga zonat urbane (mosha mesatare 19.5 vjeç), ata me arsim universitar ose më të lartë (20.1 vjeç) dhe ata nga niveli më i lartë i pasurisë (20.0 vjeç) priren të fillojnë duhanpirjen më vonë se sa të tjerët. Specialistët vërejnë se mosha në të cilën femrat dhe meshkujt fillojnë duhanpirjen po ulet. Kështu, mosha mesatare në të cilën meshkujt kishkin filluar duhanpirjen ka rënë me më shumë se 2 vjet, nga 20.4 vjeç mes meshkujve në moshën 45-49 vjeç, krahasuar me 18.2 vjeç për ata në moshën 20-24 vjeç. I njëjti model vëzhgohet edhe mes femrave, edhe pse shifrat janë relativisht të vogla. Sa i përket lënies së duhanit, të dhënat tregojnë se tri në pesë femra (60 përqind) dhe dy të tretat e meshkujve (67 përqind) duhanpirës ishin përpjekur ta linin duhanin gjatë vitit të kaluar. Për femrat, ato që jetojnë në zonat urbane dhe në Tiranën urbane, femrat me arsim universitar ose më të lartë dhe ato nga kuintili më i lartë i pasurisë, kishin më pak gjasa të përpiqeshin ta linin duhanin. Nga ana tjetër, meshkujt që jetojnë në zonat urbane, ata që jetojnë në Tiranën urbane dhe rajonin malor, si dhe ata me arsim universitar, ose më të lartë, kishin më shumë gjasa të përpiqeshin ta linin duhanin se sa meshkujt e tjerë. - Faktet kyçe të duhanit - Përdorimi i duhanit është një nga kërcënimet më të mëdha të shëndetit publik që bota ka hasur ndonjëherë. Globalisht, përdorimi i produkteve të duhanit është duke u shtuar. Epidemia është duke lëvizur në botën në zhvillim. Më shumë se 80% te duhanpirësve jetojnë në shtete me fitime të ulëta, ose të mesme. Përdorimi i duhanit vret 5.4 milionë njerëz në vit, mesatarisht një person çdo sekondë, dhe llogaritet që 1 në 10 të rritur të vdesë në botë. Duhani vret gjysmën e përdoruesve të tij. Pirja e duhanit është një faktor rreziku për 6 nga 8 shkaktarët kryesorë të vdekjeve në botë. 100 milion vdekje janë shkaktuar nga duhani ne shek. XX. Nëse tendenca aktuale vazhdon, do të rritet në 1 miliard vdekje në shek. XXI. Vdekjet e lidhura me duhanin do të rriten më shumë se 8 milionë në vite nga 2030 dhe 80 % e këtyre vdekjeve do të ndodhin në botën e zhvilluar. /s.s./
KOMENTE