Gjermani - Flotilja Në Gaza: Sulmi Izraelit I Papërshtatshëm
BERLIN, 31 maj /ATSH-AFP/ - Ndërhyrja e përgjakshme izraelite kundër një flotiljeje propalestineze në afërsi të Gazës duket qartë se është i papërshtatshëm, u shpreh sot qeveria gjermane, e cila rrallëherë kritikon Izraelin, por këtë herë kërkon një hetim.
Kancelarja Angela Merkel njoftoi se u ka telefonuar homologëve izraelit dhe tur Benjamin Netanjahu dhe Recep Tayyip Erdogan për t'u shprehur shqetësimin e saj të thellë pas sulmit izraelit në ujërat ndërkombëtare që, sipas kanalit 10 të televizionit izraelit, shkaktoi të paktën 10 të vdekur. Televizioni ka njoftuar më parë vdekjen e 19 personave dhe plagosjen e 36 të tjerëve.
"Duhet të bëjmë gjithçka për të mos lejuar që kjo situatë e vështirë të çojë në një përshkallëzim", deklaroi Merkel në një konferencë shtypi, duke këmbëngulur në të njëjtën kohë në nevojën e sqarimit sa më shpejt që të jetë e mundur të kësaj çështjeje.
Disa orë më parë, zëdhënësi i saj, Ulrich Wilhelm, e kritikoi Izraelin gjatë një konference të zakonshme shtypi të qeverisë, një reagim i pazakontë për Berlinin.
"Qeveritë gjermane gjithmonë e kanë njohur të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur, por kjo e drejtë duhet të përfshihet në kuadrin e një përgjigjeje të përshtatshme", deklaroi ai, duke shtuar se " duket qartë se në këtë rast nuk ndodhi kështu".
Ministri i Jashtëm, Guido Westerwelle, kërkoi "një hetim të plotë, transparent dhe neutral për incidentin, edhe lidhur me atë që transportonin anijet e militantëve propalestinezë.
Ministri, i cili bisedoi në telefon me homologun izraelit, Avigdor Lieberman, kërkoi gjithashtu hapjen "pa kufizim të kufijve të Gazës për ndihmën humanitare" në një deklaratë për shtyp.
Gjashtë persona të cilët banonin në Gjermani, ndër të cilët dy deputetë federalë të partisë së ekstremit të majtë Die Linke, Annette Groth dhe Inge Höger, ndodheshin në bordin e flotiljees së sulmuar, bëri të ditur Westerwelle, i cili u shpreh se nuk ka të dhëna për fatin e tyre.
/I.Pu.