English

Gjirokaster: Vidhet Per Here Te Katert Kisha 1000-Vjecare E Shen Julites Ne Fshatin Dhuvjan

GJIROKASTËR, 31 Maj/ATSH-Telnis Skuqi/. - Persona ende të panjohur për policinë e lokale kanë grabitur mëngjesin e sotëm një kryq të vjetër prej druri, disa ikona, një pëlhurë të vjetër të qëndisur me vlera artistike dhe historike dhe kanë shkatërruar disa pjesë të ikonostasit të gdhëndur në dru në Kishën e Shën Julitës, brenda Manastirit 1000- vjeçar të Dhrovjanit në Dropullin e Poshtëm, rreth 10 km larg nga Gjirokastrës. Vasil Gumenidhi, kryeplaku i fshatit, tha për ATSH-në se kjo është hera e katërt që grabitet kisha e lashtë brenda 20 vjetëve të fundit dhe në të gjitha rastet grabitësit kanë synuar të marrin objekte me vlera historike, fetare dhe artistike. "Grabitja u konstatua nga kryetari i këshillit fetar të fshatit, i cili verejti se ishin shpërthyer dy drynat e derës së kishës dhe së bashku me të njoftuam policinë, e cila erdhi menjëherë në kishë dhe pasi kqyri vendin e ngjarjes, mori gjurmët që kishin lënë aty grabitësit", tha ai. Ky objekt, që mendohet të jetë rreth 1000 vjeçar, ndodhet në qendër të Dropullit të Poshtëm në Gjirokastër, përballë Libohovës, sipër fshatit Dhuvjan, në një pejsazh me një bukuri të rrallë natyrore. Në Dhuvjan ndodhen edhe 6 kisha të tjera të lashta dhe më të reja, midis të cilave atë të Shën Vllasit, Shën Nikollës, por më e veçanta është ajo që ndodhet brenda oborrit të Manastirit të Dhuvjanit, e quajtur kisha e Shën Julitës. Manastiri në fjalë rezulton të jetë ndërtuar në periudhën e Bizantit, por një murg që kishte jetuar aty shumë kohë përpara, ka lënë shënime ku shkruhej se "ky objekt është ndërtuar më 1089". Manastiri - monument në kohën e lulëzimit të plotë të tij ka pasur në pronësi mjaft pasuri: ara, livadhe, vreshta, pyje, ullishta (në Delvinë) bageti etj. "Pasuritë e manastirit janë ruajtur deri në vitin 1967, kur feja dhe institucionet e saj morën grushte vdekjeprurëse nga diktatura. Ndersa më 1997 nga ky vend u vodhën disa ikona mjaft të vjetra e sende të tjera me vlerë", tregon Spiro Panajoti, 82 vjeçar, mësues në pension. Sipas tij, çdo vonesë e mëtejshme në vlerësimin e rënimit të manastirit do ishte me pasoja plotësisht të pariparueshme. Ai thote se muret, harkatet, këmbanorja, hajatet, koçeku, trapezeria dhe pjesë të tjera të këtij objekti, që shtrihet në në sipërfaqe rreth 3000 metra katrore, janë në rënim e siper. /a.ke/
KOMENTE