English

Hajredin Kuçi: Të ndërpriten ndikimet e Beogradit mbi veriun e Kosovës

Prishtinë, 31 Maj, NOA - Zëvendës-kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka kërkuar ndërprerjen e të gjitha ndikimeve të Beogradit zyrtar mbi veriun e Kosovës dhe gjithashtu edhe të financimit të strukturave, siç i quajti, ekstremiste në këtë pjesë të Kosovës.

Në një bisedë me BBC-në zoti Kuçi tha se Serbia po kryen ndërhyrje në sovranitetin e Kosovës dhe në punët e brendshme të saj. Ai tha se qytetarët serbë në veri janë viktima të raporteve Kosovë-Serbi dhe po mbahen, siç tha, peng të perceptimeve të Serbisë për Kosovën dhe rajonin.

Zëvendëskryeministri tha se qeveria e Kosovës nuk do të heqë dorë nga zbatimi i një strategjie për veriun dhe theksoi se institucionet në Prishtinë janë të obliguara që të shtrijnë autoritetin në veri por në bashkërendim të plotë me faktorin ndërkombëtar.

Ndërkohë, përfaqësues të opozitës në Kosovë i kanë akuzuar autoritetet në Prishtinë për moszbatim të, siç thonë, kushtetutës së vendit në gjithë territorin e saj dhe kanë vlerësuar se incidenti në Mitrovicë përçon porosi të mosdurimit ndëretnik dhe të ndarjes së Kosovës.

Z.Kuçi, situata në Mitrovicë pas zhvillimeve ditën e diel po përshkallëzohet.

Jemi dëshmitarë që ditëve të fundit, ndoshta, ka patur një lëvizje të tepruar dhe të pakontrolluar dhe në momente të caktuara, të cilat jo vetëm që kanë qenë pa leje por kanë krijuar edhe një perceptim negativ përballë qytetarëve të Kosovës. Natyrisht se edhe zgjedhjet e organizuara nga ana e Serbisë kanë ndikuar në raportet mes qytetarëve.

Por ajo çka dua të them është se ne kemi tentuar të mbajmë jo vetëm fjalorin që nuk e tensionon situatën por edhe mekanizmat institucional mbi bazën e saj por, mendoj se këtu duhet të ketë një rol më të madh nga bashkësia ndërkombëtare në ndalimin ose presionin që duhet t’i bëhet qeverisë së Beogradit për mos ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës. Unë besoj se mekanizmat adekuat të Kosovës, institucionet, po ashtu edhe prania e KFOR-it dhe EULEX-it do ta jap kontributin e vet që situata të mos tensionohet.

Por duket sikur sërish po rikthehet mostoleranca dhe padurimi ndëretnik. Çfarë mund të bëjnë institucionet e Kosovës për të rikthyer një lloj komunikimi normal mes njerëzve?

Ne vazhdimisht në deklarimet dhe veprimet tona kemi qenë të kujdesshëm që duke tentuar të bëjmë një zgjidhje adekuate për atë pjesë të Kosovës, të mos tensionojmë situatën dhe në këtë drejtim ndoshta kemi qenë të ngadalshëm në veprimet tona dhe shpeshherë në presion të opinionit publik. Por ne kemi tentuar ta mbajmë një balans të gjendjes stabile për zhvillimet pozitive që mund të bëhen atje. Natyrisht se zhvillimet negative tentojnë t’i ngrejnë tensionet por dua të besoj se do ta menaxhojmë në mënyrë adekuate. Ne nuk mund të lavdërohemi për gjendjen që dominon atje dhe jemi të vetëdijshëm që atje ka një staniacion të zhvillimeve pozitive por po ashtu jemi të bindur se popullata lokale do të ketë mirëkuptim, por gjithashtu edhe jemi të bindur në fuqinë tonë institucionale dhe të mekanizmave ndërkombëtarë për ndryshime pozitive dhe demokratike në atë pjesë.

Por këto ndryshime nuk kanë ndodhur dhe qytetarët serbë të veriut duket se nuk janë të interesuar për integrime me pjesën tjetër të Kosovës.

Për aq sa gjendja në atë pjesë është se nuk dominon rendi dhe ligji, për aq sa nuk kemi ushtrimin e plotë të sovranitetit tonë, për aq do të ketë mundësi apo shkëndija për tensionime. Prandaj vetë gjendja është e tensionuar dhe jo veprimet e dikujt tjetër sepse ato vetëm mund ta rrisin shkallën e tensionimit. Unë jam i bindur se veprimet e Serbisë po krijojnë iluzion tek popullata lokale serbe atje dhe në veçanti do të thoja po krijon dilema a të integrohen në institucionet tona apo jo.

Ne duhet të ndërpresim çdo ndikim, në kuptimin edhe fizik, edhe të financimit të ekstremistëve në atë pjesë por edhe të kontrabandës nga ana e Serbisë dhe duhet të merremi me qytetarët lokalë serbë, sikur qytetarë të rëndomtë të Republikës sonë. Nëse kjo do të ndërpritet nga Serbia ata do të kenë orientim për integrim më të shpejtë dhe më të kujdesshëm dhe do t’i binden atraktivitetit që ofrojmë ne me bashkësinë ndërkombëtare. Përndryshe ata janë të “getoizuar” dhe viktimë e raporteve Kosovë-Serbi dhe mbi të gjitha janë njerëz që po mbahen peng për perceptimet që ka Serbia për Kosovën dhe rajonin.

A po e vështirëson kjo lloj situate në veri të Kosovës, zbatimin e një strategjie të paralajmëruar të institucioneve të Kosovës për integrimin e kësaj pjese?

Është normale që reagimet kanë për qëllim që të mos lejojnë zhvillimet demokratike dhe jo ushtrimin e plotë të autoritetit tonë dhe të mekanizmave ndërkombëtarë. Natyrisht se strategjia ka pengesat e veta, ka edhe sfida. Besoj se qeveria e Serbisë po bën një ndërhyrje të pastër në sovranitetin tonë dhe në punët tona të brendshme. Ky rast heret apo vonë do të jetë objekt shqyrtimi edhe në mekanizmat ndërkombëtarë.

Por a po e vështirëson një lloj dialogu dhe komunikim normal mes Prishtinës e Beogradit pikërisht veriu i Kosovës?

Mendoj se qasja në tërësi e Serbisë për Kosovën po e vështirëson këtë. Veriu është pretekst për rritjen e tensioneve. Serbia ka një tendencë të frenimit të tërësishëm të zhvillimeve pozitive në Kosovë dhe pastaj në mungesë të një kapaciteti për tërë Kosovën po vepron në veri më shumë apo më pak.

Unë dua të besoj se do t’i hiqen mekanizmat ndikues, dua të besoj se bota demokratike në veçanti Brukseli do të jetë atraktiv për Serbinë por njëkohësisht do të ketë edhe presion nga ana e Brukselit dhe po ashtu dua të besoj se do të ketë një qasje tjetër për rajonin jo konfrontuese por bashkëpunuese. Ne jemi të obliguar që të shtrijmë autoritetin në atë pjesë por jemi të bindur që kjo duhet të ndodh në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar.

A do të jetë kjo pjesë e Kosovës dhe këto tensione, pjesë e diskutimeve në samitin e Sarajevës?

Ne e kemi përmendur në momente të caktuara me bashkësinë ndërkombëtare, duke filluar nga KS i OKB-së dhe vendet e tjera por dua të them se ne do të bëjmë një thirrje të plotë për qasje ndryshe ndaj rajonit, për bashkëpunime rajonale dhe si parakusht për integrime evropiane. Kushdo që mendon në zhvillime të tilla jo vetëm që mund ta pengojmë njëri tjetrin por do ta pengojmë edhe rajonin në tërësi për integrime të plota. Unë jam i bindur se ne do të rrisim aktivitetet tona por po e them pa logjikën e përdorimit të dhunës dhe në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar.

Atëherë çfarë prisni nga takimi në Sarajevë?

Ne presim që në radhë të parë të prezantojmë të arriturat tona por edhe sfidat me të cilat përballet qeveria dhe institucionet e Kosovës, synimet tona për bashkëpunim rajonal dhe synimet tona të përbashkëta për integrime evropiane. Gjithashtu presim që të marrim një sinjal pozitiv nga BE-ja për integrimet evropiane të rajonit por dua të besoj një sinjal pozitiv për bashkëpunimet rajonale dhe respekt reciprok.

BBC

KOMENTE