Tiranë, 31 maj, NOA - Shqipëria renditet ndër vendet e para për duhanpirjen tek moshat e reja.
Sipas specialistit për duhanin në Institutin e Shëndetit Pu, Roland Shuperka, në 5 vitet e fundit, vendi ynë raporton statistika të frikshme për konsumuesit e duhanit kryesisht femra të moshës 13-15 vjecare.
“Vajzat e qytetit të Tiranës pinë 4 herë më shumë duhan se vajzat në fshatrat apo qytetet e tjera të vendit. Edhe konsumi I duhanit tek djemtë e kësaj grupmoshe në Tiranë është rritur 2 herë më shumë në krahasim me rrethet e tjera.
Rritje e duhanpirjes vërehet dhe tek studentët ku 4 në 10 studentë konsumojnë duhan rregullisht. Mesazhi botëror në ditën botërore të luftës kundër duhanit është ndal duhanpirjes ndërsa shqetësimi i OBSH është rritja e numrit të femrave duhanpirëse”, tha Shuperka.
Për frenimin e epidemisë së duhanpirjes tek moshat e reja, janë organizuar në mbarë vendin fushata me të rinjtë e shkollave 9 vjeçare e të mesme. Por duket se problem mbetet duhanpirja në familje, e cila është një shembull negativ për fëmijët. Sipas Shuperkës, 50 për qind e fëmijëve që konsumojnë duhan kanë 1 ose 2 prindërit që pinë duhan rregullisht.
Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik një duhanpirës në Shqipëri konsumon rreth 19 cigare ose pothuajse një paketë në ditë. E përkthyer në shifra, shqiptarët blejnë çdo ditë rreth 1.4 milionë dollarë produkte duhani, pa llogaritur grupmoshën 13-15 vjeç, në muaj kjo kosto është 42 milion dollarë dhe në një vit gati gjysmë miliardë dollarë. Megjithëse taksat zënë një të tretën e çmimit të pakicës së duhanit, Specialistët e shëndetit publik bëjnë thirrje për rritjen e çmimit të paketave të duhanit, si një ndër masat për të ulur konsumin e duhanit në vendin tonë.
b.a/NOA