Jusuf Vrioni, Ky "Aristokrat I Dijes"
TIRANE, 31 Maj/ATSH-Flora Nikolla/.-Kishte vuajtur në jetë, kur kish qënë 'aristokrat i dijes', njeriu i vullnetit të pathyeshëm, njeriu i papërkulur përpara punës, filozofi dhe mendimtari, Jusuf Vrioni.
"Është një humbje e pazëvëndësueshme që nuk shprehet me fjalë", shkrimtarit Fatos Kongoli, i dridhej zeri më 1 qershor të vitit 2001 kur fliste për mjeshtrin e fjalës shqipe.
Lajmi kishte mbërritur me bujë nga Parisi në Tiranën zyrtare.
Ndoshta kjo duhet të jetë filozofia që ndjek këdo që ka lënë pas një vepër, një fjalë të mënçur, që ka qënë gjithnjë njeriu i të gjithëve, pavarësisht dhimbjeve.!
"Më mirë bëji keq vetes, sesa tjetrit, ishte një nga parimet e Vrionit" , kujtoi atë ditë Edmond Tupja, përkthyesi, i cili punoi vite me radhe me njeriun, i cili edhe pse shume i nxënë në dije, i diplomuar në Drejtësi dhe Studime të larta tregtare në Francë, me Doktoraturë në jurisprudence në Itali, vuajti 13 vjet burg në kampet dhe burgjet më të përçudnuar të Shqipërisë.
Akuzën "agjent i Francës", nuk e pranoi kurrë, edhe pse mbi trupin e tij u ushtruan tortura nga më të rendat, bile edhe famëkeqja "tortura e jelekut". Punoi në tharjen e kënetës së Maliqit, në ndërtimin e Aeroportit të Rinasit, ndërroi disa herë kampet e përqëndrimit dhe qelitë e burgut.
"Kam kënaqesi kur gjej vështirësi në punë, se puna e mirë nuk del kollaj", u thoshte gjithnjë kolegëve të tij, Jusuf Vrioni, i cili pasi doli nga burgu do të punonte si përkthyes në Shtëpinë botuese "8 Nentori".
Në këtë shtëpi, ku përktheheshin vepra të Enver Hoxhës dhe vepra të Partisë së Punës së Shqipërisë, Jusuf Vrioni, punoi deri sa doli ne pension në vitin 1990. Aty ndërtoi jetën, aty kishte miqtë e tij, aty do të jepte dashamirësinë tij dhe edukatën e punës të cilën e kishte në çdo shqisë të tij.
"Intelektual i një niveli të mirfilltë , një nga mendjet e rralla enciklopedike, në Shqiperi, Ai ishte njeriu". Jusuf Vrioni ishte filozof dhe mendimtar, njeri me karakter të fortë, por ishte bujar dhe solidar dhe kurdoherë i papërtuar përpara punes", thotë Tupja.
Të gjitha veprat e Ismail Kadarese të botuara në Francë , mbajnë përkthimin e Jusuf Vrionit.
Dhe Vrioni ka padyshim peshë të rëndë në suksesin që shkrimtari i Shqipërisë, ka patur në një nga vendet me sqimtare në kulturë.
"Për mua është një humbje e dyfishte", u shpreh atë 1 Qershor , Kadare. "Vrioni është humbje kulturore, por dhe personale, sepse ishte përkthyes i pazëvëndësueshëm. Ai ishte miku im, bashkëpunëtori im në një aksion të madh që vazhdoi 40 vjet".
Si ambasador i Shqipërisë pranë UNESCO-s , Vrioni, ndonëse i thyer në moshë, nuk do të rreshte asnjëherë të punonte. Libri i tij, "Botë të fshira", i shkruar direkt në gjuhën frenge, njohu sukses të padiskutueshëm në qarqet intelektuale pariziene.
Një avion special solli nëntë vite të shkuara në Shqipëri, në një mbrëmje të freskët qershori, trupin e të ndjerit Jusuf Vrioni.
Për të fundit herë miq dhe kolegë përshëndetën këtë intelektual të mirfilltë, i nderuar me Medaljen e Madhe të Frankofonisë, me Urdhërin Kalorës i Arteve dhe Letërsisë, me Urdhrin e Legjionit të Nderit, si dhe me titullin Qytetar nderi i Qytetit të Arlës.
Jusuf Vrioni, njeriu që jeta e goditi shumë, por që pati mirësi dhe forcë karakteri për ta përballuar, luajti një rol të pakrahasueshëm në shpërndarjen dhe njohjen e letersise shqipe në botë, duke i sjellë nder kombit të tij.
Këtë shërbim ai e bëri në kohën kur vendi i tij kishte nevojë më teper se kurrë të çante izolimin e tij politik e kulturor.
Për këtë kultura shqiptare duhet t'i jetë mirënjohëse.