English

Kodheli: Të bëhet transparenca e financave të shtetit

Tiranë, 31 maj, NOA – Partia Socialiste ka reaguar sot në lidhje me inaugurimet e ditëve të fundit që janë bërë nga Kryeministri Sali Berisha.

Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli në një deklaratë për mediat u shpreh se Kryeministri duhet të bëjë transparencën e buxhetit të shtetit dhe tu tregojë shqiptarëve sesi menaxhohen paratë e tyre.

“Partia Socialiste i bën thirrje edhe njëherë kryeministrit e qeveritarëve të tjerë të lejojnë transparencën mbi financat e shtetit. Është tanimë e qartë për të gjithë që pasojë e keqmenaxhimit dhe abuzimeve të paskrupullta me paratë e taksapaguesve shqiptarë: buxheti i shtetit është katandisur në një derexhe e cila nuk mund të arnohet me shirita elektoralë”, tha Kodheli.

Ajo denoncoi fushatën e inaugurimeve duke e cilësuar atë të përsëritur dhe një agrument më shumë i përdorur nga kryeministri për të fshehur shifrat e abuzimeve dhe krizën ekonomike.

“Nuk është hera e parë që kryeministri pret shirita për investime nga të cilat mbeten vetëm shiritat. Ky teatër absurd me investime të vjetra që inaugurohen për të disatën herë, me marrjen e meritave për investime të pushtetit lokal, nuk mund t’u hedhe hi syve qytetarëve të këtij vendi për situatën e dëshpëruar të financave të vendit”, tha Kodheli.

m.xh/NOA

KOMENTE