English

Koment - Kërcënime Dhe Afrime, Lavjerrësi Absurd I Phenianit

- Marre nga gazeta italiane ''Corriere della sera'' - TIRANË, 31 maj /ATSH/ - Pikërisht dhjetë vjet më parë qielli mbi dy Koretë ishte i kthjellët. "Sunshine Policy", "Politika e Diellit", ishte "logoja" që presidenti progresist i Jugut, Kim Dae-jung, kishte zgjedhur për strategjinë e tij të dialogut me Kim Jong-il, liderin e veriut. Slogan, shans apo filozofi, dukej se po funksiononte. U zhvilluan edhe dy takime të paharrueshme ndërmjet të dyve në Phenian dhe në Seul dhe lideri i Jugut u nderua edhe me një Nobel për Paqen. Lavjerrësi korean po ngjitej në kulmin e qetësisë, me aq shumë takime kokë më kokë ndërmjet Kimit të Veriut dhe Madeleine Albright, Sekretarja amerikane e Shtetit në kohën e administratës Klinton. Por më pas lavjerrësi nisi të zbriste, deri te testet bërthamore, ato raketore, dhe te incidenti i 26 marsit kur një anije luftarake koreanojugore u fundos nga një silur, për të cilin akuzohet Veriu. Lavjerrësi korean ngjitet dhe zbret zigzage zigzage. Veprime armiqësore u shënuan me intervale hapjesh dhe lëshimesh. Zbutjet dhe afrimet ndonjëherë koiçidojnë me pikun e krizës ushqimore që persekuton Republikën Demokratike Popullore të Koresë që prej viteve Nëntëdhjetë. Ndihmat energjetike dhe ato ushqimore i sugjeruan Phenianit një koktej të përpunuar në mënyrë të sofistikuar, përbërë nga kërcënime dhe shenja afrimi. Partnerët e Phenianit tashmë tregohen të kujdesshëm dhe negociatorët më të kalitur janë të aftë, madje, të zbulojnë fazat e ndryshme të krijuara nga regjimi. Këto shenja mund të gjenden edhe në ditën e djeshme. Për shembull, nga bllokimi i shkëmbimit të ndërsjellët tregtar Veri-Jug, që u vendos nga Seuli, është përjashtuar parku industrial i Kaesongut. Ndërtuar nga Jugu në zonën e qytetit koreanoverior, shumë më pranë zonës së çmilitarizuar, i jep punë mijëra koreanoveriorëve dhe Seuli e ka mohuar mbylljen e tij. Por edhe fjalët e presidentit koreanojugor Lee Myung-bak - "Pheniani duhet të ndëshkojë përgjegjësit e sulmit" - tingëllojnë si një tentativë për të ngulur një pykë ndërmjet hierarkëve të regjimit (si të thuash: e dimë që jo të gjithë janë fajkonj) dhe së bashku ofrojnë mundësinë për të shpëtuar figurën e lidershipit. Analistët e dinë se çdo lëvizje koreanoveriore shpesh korrespondon me një lëvizje të brendshme të sferave të larta, një demonstrim force ose lëshime ndaj një fraksioni..., akreditimi i djalit të shtrenjtë të liderit Kim Jong-un, pasuesi i tij tashmë i njohur. Është një teatër pa ngjyra në të cilin janë të pakët ata që dinë të lëvizin dhe që në krahasim me kremlinologjinë e vjetër sovjetike duket si një shkencë ekzakte. Në dredhitë e dukshme të sjelljes së Phenianit kontribuon edhe Kina. Kur në fillim të majit treni i blinduar i Kim Jong-il kaloi kufirin dhe e çoi në fillim në Dalian dhe më pas në Tianjin dhe Pekin, udhëtimi dukej se e çonte Korenë e Veriut para vitrinave të një Kine që është duke ia kaluar Japonisë dhe po bëhet fuqia e dytë industriale në botë. Liderët më të lartë kinezë dolën për të pritur Kim duke transmetuar imazhin e një Lideri në pozicion të ndikuar. Por megjithatë propaganda e Phenianit është e aftë të funksionojë dhe të ripërsërisë gjithçka në dritën e rrethimit të mbarë botës, ose thënë ndryshe, është e aftë të paraqesë modelin e një vendi që ka preferenca, pavarësisht izolimit. Obsesioni i rrethimit ushqehet me çdo detaj të dobishëm që merret nga ajo çfarë ndodh në botë. Përshpejtime dhe ngadalësime i përgjigjen kësaj logjike, një vend i rrethuar dhe i bllokuar duhet edhe të mbrohet, dhe çdo mjet është i vlefshëm. Dhe deri sa të vazhdojë kjo skemë, lavjerrësi korean do të vazhdojë të lëkundet. /e.v/
KOMENTE