Koment - Mbytja E Anijes Koreanojugore - Kina Thekson Nevojën Urgjente Të Shmangies Së Konfliktit Ndërkorean
SEOGWIPO (Kore e Jugut), 31 maj /ATSH-AFP/ - Kryeministri kinez, Wen Jiabao, u shpreh të dielën se nevojitet "urgjentisht" shmangia e konfrontimeve dhe zbutja e tensioneve mes dy Koreve, pas goditjes me silurë të një anijeje lufte koreanojugore për të cilën u fajësua regjimi i Phenianit.
Por, kryeministri japonez, i cili u shpreh pas një samiti në Korenë e Jugut me homologun japonez Yukio Hatoyama dhe me presidentin koreanojugor Lee Myung-Bak, nuk bëri asnjë aludim për një bashkim të mundshëm të Kinës me dënimin ndaj Koresë së Veriut, aleat i Pekinit.
"Tani detyrë urgjente është zbutja e pasojës së mbytjes së anijes së koreanojugore, ndryshimi i një situate të acaruar dhe shmangia e konfliktit", deklaroi ai në një konferencë shtypi.
Vizita e Wen zhvillohet ndërkohë që Seuli po kërkon mbështetjen e Kinës për përpjekjen e tij lidhur me sanksione të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër Koresë së Veriut.
"Kina do të komunikojë aktivisht me palët në fjalë dhe do të japë ndihmesën e saj në nxitjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, gjë që përputhet më mirë me intersat tona të përbashkëta afatgjata", deklaroi Wen.
Koreja e Jugut njoftoi se kërkon ndëshkimin e Veriut, i cili u shpreh se do të kundërpërgjigjet duke filluar "një luftë të përgjithshme" në rast sanksionesh të reja.
Sipas konkluzioneve të një hetimi ndërkombëtar, mbytja e Cheonan, një anije lufte 1200 tonëshe, që ndodhi më 26 mars, u shkaktua nga goditja me silurë e një nëndetëseje koreanoveriore, duke sjellë vdekjen e 46 marinarëve koreanojugorë.
Pheniani hodhi poshtë çdo lloj përgjegjësie në incident, një nga më të rëndët ushtarakë që prej armëpushimit mes Koreve në vitin 1953.
Kryeministri kinez u dërgoi ngushëllime familjeve të marinarëve, pa bërë komente të tjera lidhur me incidentin.
Wen u shpreh në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin koreanojugor dhe kryeministrin japonez.
Presidenti Lee u shpreh se pret një "bashkëpunim të matur" nga fqinjët në administrimin e incidentit.
Sipas Hatayamas, vendi i të cilit ka njoftuar tashmë një ashpërsim të sanksioneve kundër regjimit të Phenianit, tre liderët ranë dakord të shprehen se "bëhet fjalë për një çështje të rëndë për paqen dhe stabilitetin në Azinë Verilindore".
Seuli u angazhua sot se do të hakmerret nga Phenianit për mbytjen e anijes, veçanërisht duke pezulluar shkëmbimet tregtare me fqinjin e tij.
Wen, i cituar nga një zëdhënës koreanojugor deklaroi të shtunën: "Kundërshtojmë çdo veprim që do të cënojë paqen dhe stabilitetin".
Të premten, Pheniani përgënjeshtroi disponimin e modelit të mini-nëndetëses e akuzuar nga hetimi ndërkombëtar dhe për të cilën hetuesit e Seulit mendojnë se ka hedhur silurën që shkaktoi mbytjen e anijes Cheonan.
Sipas hetimit, "disa nëndetëse të vogla kanë dalë nga një bazë detare koreanoveriore që ndodhet në Detin e Verdhë dy-tri ditë përpara sulmit dhe janë kthyer në bazë dy ose tri ditë më pas.".
Mbytja e kësaj anijeje shkaktoi tronditje të madhe në Korenë e Jugut, ku u shpallën pesë ditë zie.
/I.Pu.