English

Komisioni I Ekonomisë Miraton P/Ligjin Për Lehtesi Fiskale Me Estoninë

TIRANE, 31 Maj/ATSH-A..Gjonaj/- Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të hënën p/ligjin për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal me Estoninë. Ekspertë të politikave fiskale në Ministrinë e Financave gjatë debatit në Komision thanë se mostatimi i dyfishtë garanton dhe favorizon marrëdhëniet ekonomiko-tregtare mes dy vendeve. Relatore e këtij p/ligji, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, u shpreh se p/ligji krijon një bazë ligjore për trajtimin tatimor të individëve, personave juridikë shqiptarë apo estonezë që kanë veprimtari biznesi ose të ardhura të tjera që parashikohen ne juridiksionin tatimor të dy vendeve. "Në të përcaktohet qartë mënyra se si do të shmanget tatimi i dyfishtë, duke i dhënë të drejtën për tatimin e të ardhurave të caktuara vetëm njërit shtet, apo duke e ndarë këtë të drejtë ndërmjet dy shteteve, por pa e rënduar subjektin me tatim të dyfishtë", deklaroi Vokshi. Në marrëveshje, sipas saj, çështjet më sensitive janë tatimi i dividentit dhe interesit. Në p//ligj, tha Vokshi, parashikohet që 5 % e interesave dhe dividentit të tatohet në vendin rezident të personit apo shoqërisë, ndërsa pjesa tjetër do të tatohet në vendin e burimit Vokshi theksoi se deri tani qeveria shqiptare ka nënshkruar rreth 30 marrëveshje të tilla me shtete të ndryshme, me shumicën e të cilave qeveria shqiptare ka shkëmbime tregtare në nivele të larta. Edhe pse shkëmbimet tregtare të vendit tonë me Estoninë u vlerësuan në nivele të ulëta, Kryetari i këtij Komisioni, Edmond Spaho, u shpreh se marrëveshje të tilla kërkohen nga qeveritë dhe në rastin konkret nga Estonia për të paraprirë investimeve të mëdha. Ndërkohë deputeti i Partisë Socialiste, njëkohësisht edhe nënkryetar i Komisionit, Arben Malaj, u shpreh se Ministria e Financave duhet të ndërmarrë një studim për të pasqyruar efektet që vinë nga nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve./s.s./
KOMENTE