English

Kongresmeni Aderholt Berishës: SHBA do ta vijojë mbështetjen

Tiranë, 31 maj, NOA – Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me kongresmenin Robert Aderholt, anëtar i Komisionit te Sigurisë dhe Bashkëpunimit me Evropën ne Kongresin Amerikan, i njohur si Komisioni i Helsinkit.

Ai e falënderoi kongresmenin për mbështetjen që Kongresi amerikan, qeveria amerikane, Presidenti dhe taksapaguesit amerikanë iu kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve dhe në veçanti, mbështetjen e fuqishme për anëtarësimin në NATO.

Nga ana e tij, Aderholt i përcolli kryeministrit Berisha përshëndetjet nga miq të shumtë të tij dhe të Shqipërisë në SHBA, duke theksuar se SHBA do të vijojnë këtë mbështetje ndaj Shqipërisë, në të gjitha fushat e bashkëpunimit, në interes të së mirës së të dy kombeve tanë miq.

Në vijim, kryeministri Berisha e informoi kongresmenin Aderholt për reformat e rëndësishme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, në të gjitha fushat dhe arritjet e jashtëzakonshme të kësaj periudhe, në veçanti vendimin e Këshillit për gjykimin e kërkesës së Shqipërisë dhe përgatitjen e dorëzimin e përgjigjeve të Pyetësorit në KE nga ana e Shqipërisë, si dhe vendimin e fundit historik të Komisionit për të propozuar heqjen e vizave për shqiptarët.

“Pas anëtarësimit në NATO, kjo është ngjarja më e rëndësishme për qytetarët shqiptarë, e cila do i sjellë ata më pranë Evropës dhe realizimit të ëndrrës së kombit për rikthim në familjen evropiane”, u shpreh kryeministri Berisha.

n.e/NOA

KOMENTE