Kosove - Be Perkrah Pergatitjet Per Regjistrimin E Popullsise
PRISHTINË, 31 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Bashkimi Evropian përkrah përgatitjet për regjistrimin e popullsisë në Kosovë.
Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian, Enti i Statistikës në Kosovës dhe Ministria e Administratës Publike, zhvilluan sot mbledhjen e parë të projektit për përkrahje teknike për përgatitjen e regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive shtëpiake të Kosovës në prill 2011.
Gjatë 30 muajve të ardhshëm, një grup i ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendas do të punojnë së bashku me institucionet e Kosovës për të ngritur kapacitetet e Zyrës së Statistikave për ta organizuar regjistrimin në bazë të standardeve ndërkombëtare, bëhet e ditur në një komunikatë të Zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë sot pasdite.
"Të dhënat e mbledhura përmes regjistrimit të popullsisë do të ofrojnë një perspektivë tërësisht të re për zhvillimin e Kosovës. Statistikat e besueshme janë bazë për përmirësimin e jetës së të gjithëve në Kosovë pa marrë parasysh se kush janë ata dhe ku jetojnë", tha Kjartan Björnsson, shef i Operacioneve të Zyrës ndërlidhëse të KE-së.
Për të pasur një regjistrim të suksesshëm, ndihma e ekspertëve do ketë për synim të ndihmojë qeverinë edhe në fushatën për përfshirjen e komuniteteve pakicë.
Projekti i tanishëm i përkrahjes është pjesë e skemës së përgjithshme të BE-së për ndihmë. Komisioni Evropian dhe EUROSTAT-i kanë dhënë ndihmë të konsiderueshme për Entin e Statistikës në Kosovës në përgatitjet e regjistrimit të popullsisë që prej 2005 dhe do të vazhdojë të ofrojë përkrahje gjatë tërë procesit të regjistrimit.
Shuma e përgjithshme e fondeve të BE-së që janë shpenzuar apo që janë ndarë për aktivitetet e ardhshme deri tani arrin në më shumë se 6 milionë euro. /a.ke/