Kosovë - Komiteti I Sigurisë Në Mitrovicë Vlerëson Menaxhimin E Situatës
PRISHTINË, 31 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Përfaqësuesit e strukturave politike dhe të sigurisë në Mitrovicë vlerësuan sot në mbledhjen e Komitetit të Sigurisë të kësaj komune punën profesionale të Policisë së Kosovës në menaxhimin e situatës së krijuar të dielën në urën e Ibrit, pas provokimeve nga pala serbe të protestuesve shqiptarë. Gjithashtu u vlerësua edhe puna e KFOR-it dhe EULEX-it si dhe koordinimi i mirë në mes të autoriteteve të sigurisë.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, duke folur për situatën e krijuar në urën e Ibrit, tha se falë reagimit profesional të strukturave të sigurisë si dhe maturisë së protestuesve shqiptarë, situata nuk ka precipituar. Nga ana tjetër, ai kërkoi nga autoritetet përgjegjëse që të marrin masa ndaj atyre që kanë provokuar situatën. "Gjithçka që ka ndodhur të dielën është e qartë, dihen personat e komunitetit serb nga veriu që kanë provokuar situatën, ata që kanë hedhur gurë dhe që kanë shtënë me armë zjarri, ndaj duhen masa në mënyrë që të jetë e qartë se veprime të tilla janë të patolerueshme", theksoi Kastrati.
Kastrati kërkoi që "institucionet të veprojnë dhe t'ua bëjnë të ditur të gjithëve se Kosova ka ligje dhe rend, ku lejohet shprehja e pakënaqësisë në mënyrë demokratike, por jo edhe dhuna".
Ndërkohë, Kastrati përsëriti edhe një herë se për institucionet kosovare zgjedhjet e organizuara të dielën nga Serbia në veri të Kosovës janë ilegale dhe të papranueshme.
Edhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, vlerësoi punën e mirë dhe profesionale të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it si dhe për organizimin e mirë të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, të cilët nuk kanë lejuar që situata të precipitojë.
Ndërsa përfaqësuesit e KFOR-it kanë theksuar se Policia e Kosovës EULEX-i kanë bërë punë të mirë, ndërsa ushtarët e KFOR-it gjatë gjithë kohës kanë qenë të gatshëm për të ndërhyrë.
Komandanti i stacionit policor në jug, kapiteni Bashkim Spahiu, gjithashtu ka vlerësuar se reagimi i policisë ka qenë në nivel dhe i efektshëm.
"Sipas raporteve të fundit nga hedhja e mjeteve të forta nga personat e mbledhur në veri janë lënduar lehtë dy pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Ndërsa ndaj dy personave kanë nisur hetimet për prishje të rendit dhe qetësisë publike", bëri të ditur ai./s.s./