English

Kosovë - Thaçi: Institucionet E Vendit Do Të Udhëheqin Betejën Kundër Korrupsionit Dhe Krimit Të Organizuar

PRISHTINË, 31 Maj /ATSH-B.Jashari/.-Institucionet e Kosovës do ta udhëheqin betejën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive negative, tha sot Kryeminisri Hashim Thaçi. Pas takimit me kryeprokurorin e Shtetit, Ismet Kabashi dhe me ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Policisë së Kosovës, Behar Selimi, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, Kryeministri Thaçi bëri të ditur se kishin diskutuar për rendin dhe sigurinë, sundimin e ligjit dhe angazhimet prioritare të institucioneve të Republikës së Kosovës në këtë fushë. "Diskutuam edhe për hapat tonë të mëtejshme, të cilat do të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës", tha Thaçi. Kryeministri Thaçi apeloi për një bashkëpunim të ngushtë të të gjitha institucioneve të Kosovës, në progresin e Kosovës në fushën e rendit e ligjit, ndërtimit të demokracisë, të perspektivës euroatlantike të vendit. /s.s./
KOMENTE