English

Kryeprokurorja Rama urdhëron vënien në zbatim të disa rekomandimeve të Berishës

Tiranë, 31 Maj 2010 NOA - Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, me prezencën e Ministrit të Drejtësisë Bujar Nishani iu ka bërë të njohur në një takim drejtuesve të Prokurorive në rretheve, rekomandimet e Këshillit të Ministrave, të cilat duhen mbajtur parasysh për vitin 2010 në luftën kundër kriminalitetit.

Këto rekomandime janë bërë në zbatim te nenit 54 të Ligjit Nr. 8737 datë 12.02.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, ku Prokurorisë i janë përcjellë në emër të Këshillit të Ministrave nga Ministri i Drejtësisë.

Rekomandimet e Ministrisë së Drejtësisë të bëra prezente në mbledhje janë si më poshtë:

Lufta kundër krimit të organizuar, terrorizmit, krimit ndërkufitar, trafiqeve të të gjitha llojeve e pastrimit të parave, të sigurimit të kufijve si dhe roli i prokurorisë në zbatim të këtyre angazhimeve.

Kjo nuk mund të arrihet pa rivendosur ritmin e përshpejtuar të punës në gjithë administratën qendrore, të ekzekutivit dhe pa bashkëpunimin ligjor të çdo institucioni të pavarur dhe ngritjen në një nivel më të lartë të bashkëpunimit me institucionet e specializuara ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.

Veprat penale kundër korrupsionit duhet të jenë prioritet për organet e prokurorisë duke e konsideruar korrupsionin si gangrenë dhe asfiksues për funksionimin e shtetit dhe të ekonomisë.

Gjithashtu rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit mbetet forcimi i disiplinës fiskale, zbatimi i plotë i ligjit të cilat do të sjellin efekte në reduktimin e ndjeshëm të asaj pjese të ekonomisë informale që është e zezë dhe kriminale, gjë e cila nuk mund të realizohet pa angazhimin e prokurorisë.

Lufta kundër krimit që cënon jetën dhe shëndetin e personit, ka përbërë vazhdimisht një shqetësim serioz për shoqërinë.

Në këtë kuadër institucioni i prokurorisë duhet që të ndjekë një politikë të ashpër procedimi dhe gjykimi për të ndikuar në zbutjen dhe parandalimin e këtij fenomeni shumë negativ dhe me pasoja të rënda jo vetëm për viktimat dhe familjet e tyre por dhe për sigurinë publike dhe shoqërinë në tërësi.

Duhet kthyer në realitet dhe jo më slogan parimi drejtësi e organizuar kundër krimit të organizuar, nëpërmjet forcimit dhe bashkëpunimit dhe bashkëveprimit midis institucioneve në funksion të parandalimit të tij në momentin dhe kohën e duhur sa nuk është vonë pa sjellë pasoja të rënda për individin, shtetin dhe shoqërinë dhe në funksion të qëllimit dhe synimit tonë për integrim.

Në fund të takimit Prokurorja e Përgjithshme Rama shprehu angazhimin e Prokurorisë së Përgjithshme për të përmbushur detyrimet ligjore dhe prioritet e paraqitura nga Qeveria, në luftë kundër kriminalitetit, duke rritur efektivitetin në ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në emër të shtetit.

r.n/NOA

KOMENTE