Kushner : " E Ardhma E Ballkanit Është Në Bashkimin Europian"
-Shkruan Ministri i Jashtëm i Francës Bernard Kushner në një letër drejtuar artistit Zamir Mati-
TIRANË, 31 Maj/ATSH/.- Piktori Zamir Mati i cili prej 20 vitesh jeton ne Francë ka marrë një letër nga Ministri Francez i Punëve të Jashtme Bernard Kushner pasi artisti i njohur e ka ftuar diplomatin e lartë në një ekspozitë të tijën personale të çelur gjatë muajit maj në kryeqytetin e Kosovës , Prishtinë.
Kushner i cili drejtoi misionin e UMNIK-ut, për gjatë 18 muajve në Kosovën e pas luftës së vitit 1999, për krijimin e një administratë civile si dhe një sistemi politik dhe ndërtimin e një sistemi ekonomik, në letrën e tij shpreh kënaqësinë për ftesën që piktori i bën për çeljen e ekspozitës "Kosova 2010" në Prishtinë.
"Ekspozita e cila tregon njëkohësisht rrugëtimin tuaj në kontinetin tonë dhe lidhjet tuaja me Ballkanin, është një shëmbull i mirë i lidhjeve që bashkojnë vëndin tone (Francën) me këtë rajon e ardhmja e të cilit, sic theksova në Prishtinë marsin e fundit , është në Bashkimin Europian" shkruan Kushner në letrën e tij drejtuar piktorit shqiptar me nacionalitet francez, Zamir Mati .
Ministri jashtëm i Francës, i cili vizitoi Kosovën, siçc shkruan në letrën e tij në mars të vitit 2010, ka deklaruar më shumë se njëherë qëndrimin e tij pro shpalljes së pavarësisë së Kosovës ndërkohë që në vizitën e tij të fundit ftoi Beogradin dhe Prishtinën të nisin procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërfqinjësore.
Kushner, 71 vjec, me profesion mjek, u zgjodh ne krye te diplomacisë franceze pas zgjedhjeve të vitit 2007 kur në krye të shtetit francez u zgjodh Nikola Sarkozi.
Piktori Zamir Mati për gjatë 10 ditëve çeli në Prishtinë një ekspozitë personale me 41 punime nga më të spikaturat e tij . Ekspozita ngjalli interesin dhe kërshërinë jo vetëm të piktorëve prishtinas , kritikës, medias ku u pasqyrua gjerësisht por dhe të artëdashësve të Kosovës.
"Nuk kisha qenë asnjëherë më parë në Prishtinë, ndërsa ëndrra ka qënë e madhe", ishte shprehur piktori i njohur në një intervistë për ATSH-në .
"Kosovën e preka për herë të parë, pavarësisht se punimet e mia kanë qënë atje qysh në vitet 70-të", ka vijuar Mati për të cilin , "mendimi nuk ka nacionalitet".
Por gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë nuk kanë munguar dhe balonat e Zamir Matit, ato që ai diti t'i krijojë në Shqipërinë e viteve '80-të por që e vazhdon këtë iniciativë të tij personale sa herë që vjen në Shqipëri .
Qiellin e Prishtinës kësaj here e ka vizatuar ndër të tjera edhe me ngjyrat e flamurit të Kosovës në një performancë artistike të ndjekur me kërshëri nga qytetarë dhe përfaqësues të medias vendase e cila e ka përcjellë jo pa entuziazëm këtë veprimtari të Matit.
Nga ana e tij artisti i njohur është shprehur se "këtë ditë të bukur pranverore në Prishtinë, në Kosovën e lirë e të pavarur e shijoj dhe prek për herë të parë duke ngritur edhe balonat".
/f.n/